AlbanianSport.com 19/04/2019 18:25
ASNN – Për meshkuj luhet më 21, 24 dhe 28 prill, për femra më 20, 23 dhe 27 prill 2019. Kampionati Kombëtar i Basketbollit, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, ka hyrë tanimë në fazën e tij më të nxehtë, atë të play-off-it. Dhe, të premten, Federata Shqiptare e Basketbollit ka zyrtarizuar edhe kalendarin e ndeshjeve të gjysmëfinaleve, por edhe të betejës për mbijetesë në nivelin më të lartë këtij kampionati. Për meshkuj, datat e 3 përballjeve, natyrisht nëse do të nevojiten të 3-ja, pasi skuadra që fiton dy ndeshje kualifikohet për më tej, janë 21, 24 dhe 28 prill 2019.
Goga Basket, e cila e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë, përballet në gjysmëfinale me Tiranën, që sapo ka humbur në mënyrë dramatike duelin e Superkupës. Takimi i parë luhet në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, për të vijuar me të dytin në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet e për t’u kthyer prapë në Durrës për takimin e 3-të. Në duelin tjetër, Teuta, fituese e Kupës dhe, së fundmi, edhe e Superkupës së Shqipërisë, do të presë në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” Partizanin, për ndeshjen e parë.
Për të vijuar me të dytin në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet e për t’u kthyer prapë në Durrës për takimin e 3-të. Ndërkaq, në betejën për mbijetesë, Vllaznia përballet me vendin e dytë të Kategorisë së Parë, Invejdërs, për të përcaktuar se cila skuadër do të luajë në Superligë sezonin e ardhshëm. Datat janë të njëjta me “play-off”-in, ndërsa ndeshja e parë dhe e 3-të, natyrisht, nëse nevojitet, luhen në Shkodër, ndërsa e dyta në Tiranë. Për femra, datat e 3 taekimeve, natyrisht nëse do të nevojiten të 3-ja, pasi skuadra që fiton dy ndeshje kualifikohet për më tej, janë 20, 23 e 27 prill 2019.
Shoqata e Klubit të Basketbollit Femra Tirana, e drejtuar nga trajneri Erdal Borova, që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë, përballet në gjysmëfinale me Vllazninë e vendit të 4-t. Takimi i parë luhet Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, për të vijuar me të dytin në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër e për t’u kthyer prapë në Tiranë për takimin e 3-të. Në duelin tjetër, fituesja e Kupës. Shoqata e Basketbollit Femra Tiran, e drejtuar nga trajnerja Mirza Alibegaj, do të presë në Sallën Sportive “Fahrie Hotin” fituesen e saposhpallur të Superkupës së Shqipërisë, Flamurtarin, për ndeshjen e parë.
Për të vijuar me të dytin në Pallatin e Sportit “Flamurtari” në Vlorë, e për t’u kthyer prapë në kryeqytet për takimin e 3-të. Ndërkaq, në betejën për mbijetesë, Studenti përballet me vendin e dytë të grupit B, Apoloninë, për të përcaktuar se cila skuadër do të luajë në grupin A të Kategorisë së Parë sezonin e ardhshëm. Datat janë të njëjta me play-off-in, ndërsa ndeshja e parë dhe e 3-të, natyrisht, nëse nevojitet, luhen në kryeqytet, ndërsa e dyta në Fier.