AlbanianSport.com 19/04/2019 15:40
ASNN – Lorik Cana vë në pikëpyetje aftësitë e Edi Rejës: Është i vjetër dhe pa përvojë jashtë Italisë. Pak ditë më parë kreu i FSHF-së, Armand Duka, prezantoi trajnerin e ri të skuadrës kombëtare, italo-sllovenin Edoardo Reja. Ai ka ardhur me pompozitet, me staturën e fortë të përvojës dhe shkollës italiane, por këto janë vënë në dyshim nga ish-kapiteni i skuadrës përfaqësuese, Lorik Cana.
Ky i fundit, përvojën e Rejës jashtë Italisë e sheh problem, njësoj sikurse sheh problem moshën e tij, duke thënë se Reja është një prej trajnerëve më të vjetër të futbollit në Evropë dhe në botë. Në fakt, Edi Reja ka qenë trajner trajner i Lacios gjatë viteve 2010-2012 dhe përsëri në vitin 2015. Pikërisht gjatë asaj kohe, Cana e pati mundësinë ta shikonte nga afër punën e Rejës.
Sepse ishte pjesë e skuadrës së Lacios në vitet 2011-2015. Pra Lorik Cana e njeh trajnerin Edi Reja dhe dyshimet e ngritura nuk janë pa baza. “Edoardo Reja është një trajner me përvojë shumë të madhe, – theksoi ndër të tjera Lorik Cana, i pyetur për këtë temë në “Tring Sport”, – me shumë mundësi, një nga trajnerët, që besoj se ka moshën më të madhe jo vetëm në Itali, por në mbarë futbollin.”
“Mirëpo, kjo pjesa që nuk ka absolutisht asnjë lloj përvoje, përveç kampionatit italian, ngre pak pikëpyetje. Reja është një person që e njeh mirë futbollin dhe shpresojmë që të arrijë të marrë më të mirën nga ky ekip”, – shtoi Cana.