AlbanianSport.com 18/04/2019 22:05
ASNN – Koshi i Kevin Brounit i shënuar në frymën e fundit, ka mjaftuar për të përmbysur deficitin dypikësh dhe për t’i dhënë Teutës fitoren me shifrat 86-85 dhe bashkë me të edhe trofeun e dytë të koshit shqiptar të meshkujve, atë të Superkupës. Në fakt, ka qenë një përballje me dy tablo kjo ndeshje, që sikundër çdo sfidë madhore e koshit shqiptar, kombëtare apo ndërkombëtare, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Kishin mbetur vetëm 7 të dhjetat e sekondës për t’u luajtur, dhe, sikundër ka bërë edhe disa herë të tjera gjatë këtij sezoni, Teuta ia ka dalë në mënyrën më dramatike. Koshi i Kevin Brounit i shënuar në frymën e fundit, ka mjaftuar për të përmbysur deficitin dypikësh dhe për t’i dhënë Teutës fitoren me shifrat 86-85 dhe bashkë me të edhe trofeun e dytë të koshit shqiptar të meshkujve, atë të Superkupës. 10-minutëshi i parë është fituar nga skuadra e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali, me shifrat 22-19.
Dhe, megjithëse bardheblutë kryeqytetas do të kundërpërgjigjen në atë të dytin, duke e fituar ngushtë, 19-18, është Teuta që shkon në pushimin e madh të ndeshjes duke kryesuar 40-38. Pjesa e 3-të do të flasë për kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri/lojtar Erkand Karaj, të cilët shkojnë deri në 15 pikë epërsi dhe, duke e fituar këtë 10-minutësh 27-18, e mbyllin gjysmëorën e parë të ndeshjes në kryesim 65-58. Por 10 minutat e fundit, sidomos sekondat e fundit të saj do të rezultojnë dramatike.
Pasi Teuta, duke e fituar këtë pjesë loje 28-20, do të përmbysë dhe do të fitojë 86-85, duke bërë për vete trofeun e dytë të këtij sezoni pas Kupës së Shqipërisë, të fituar javë më parë.