AlbanianSport.com 18/04/2019 21:10
ASNN – Të enjten u luajtën dy ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të “play-off”-it të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, ku surprizën e madhe e bëri Tirana, e cila përmbysi Barleti Volejin dhe e lë të hapur mundësinë e kualifikimit në finale. Ndeshja e parë gjysmëfinale midis tyre ishte fituar thellë dhe bindshëm nga vajzat universitare me rezultatin 3-0 dhe kalimi në finale dukej një formalitet.
Por nuk ndodhi kështu në këtë duel kthimi, pasi skuadra e trajnerit Adrian Gorenxa bëri një ndeshje të madhe dhe ia doli që të barazojë shifrat e fitoreve 1-1 dhe për të përcaktuar finalistin do të duhet të luhet edhe një ndeshje tjetër. Kështu, Tirana mundi Barleti Volejin me rezultatin 3-2, në një duel mjaft të fortë dhe emocionues. Dy setet e para i fitoi Tirana me rezultatin 25-19 dhe 26-24.
Më pas vjen radha e Barletit që të fitojë dy setet në vijim me shifrat 25-23 dhe 25-10, duke krijuar idenë e një përmbysje dhe fitoreje të lehtë në fund. Por skuadra e trajnerit Hasan Gurabardhi i bëri llogaritë gabim, kurse rivalja e saj, Tirana e Gorenxës shpërtheu në setin e 5-të final, duke fituar bindshëm 15-10 dhe krejt ndeshjen 3-2 dhe në këtë mënyrë i jep një mundësi vetes të pretendojë finale e madhe të “play-off”-it, që vlen për trofeun e titullit “kampion”.