AlbanianSport.com 29.11.2014 22:10
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj i ka luajtur sot të 3 ndeshjet e javës së tij të 8-të, duke konfirmuar Studentin si kryesuese tashmë të shkëputur të renditjes, pasi ka triumfuar në duelin me rivalen e drejtpërdrejtë për kreun, Tiranën, duke i mundur bardheblutë e trajnerit Sako me rezultatin 3-1, në sfidën që u zhvillua në mbrëmje në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.
Kjo fitore mbart më tepër vlerë ku kemi parasysh se dje Pallati i Sportit ka qenë i bllokuar në të gjitha krahët, sepse në sallën kryesore ka qenë gjimnastrada, kurse në sallën Nr. 2 volejbolli i femrave në Kupën e Flamurit. Dhe në këto kushte, Studenti i trajnerit Ylli Tomorit, që ishte në prag të sfidës së sotme me Tiranën për kampionat, pati mbetur pa stërvitje.
Për më tepër, ky triumf i Studentit vjen vetëm 48 orë pas atij në 3 sete (25-16, 25-20, 25-23), që skuadra e trajnerit Tomori korri në finalen e Kupës së Flamurit pikërisht ndaj bardhebluve. Po me të njëjtat shifrat, 3-1, Teuta ka fituar sot në shtëpi ndaj Vllaznisë, në një tjetër takim të vlefshëm për javën e 8-të të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj.
Ndërsa në takimin që u luajt më herët në Elbasan, skuadra vendase ka kapitulluar në 3 sete përballë Farka Volejit. Modestët e periferisë së kryeqytetit, të drejtuar nga trajneri pasionant, Dritan Bardhi, kanë korrur kështu fitoren e 3-të në këtë sezon dhe mbajnë gjallë shpresat për një vend në “play-off”-in final, ndonëse pengesë në këtë mision kanë një emër të madh të sportit shqiptar, si Vllaznia.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e 8-të
(29 nëntor 2014)
Teuta – Vllaznia 3-1
Elbasani – Farka Volej 0-3
Tirana – Studenti 1-3
Skënderbeu pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
1. Studenti 7 6 1 19-6 18
2. Tirana 7 5 2 16-9 15
3. Teuta 7 5 2 15-11 15
4. Vllaznia 7 4 3 15-10 12
5. Farka Volej 7 3 4 12-12 9
6. Elbasani 7 1 6 5-20 2
7. Skënderbeu 6 0 6 4-18 1