AlbanianSport.com 12/04/2019 23:05
ASNN – Ledian Memushaj realizon një supergol në Serinë B, i jep barazimin Peskarës. Ledian Memushaj i tregoi vlerat e tij mbrëmjen e sotme, në duelin që Peskara e tij pati ndaj Peruxhias, takim që përfundoi në barazim 1-1. Nuk është hera e parë që ai shënon gola të bukur në kampionatin italian, por ai i sotmi do të mbetet gjatë në mendje, për forcën dhe bukurinë.
Memushaj shënoi golin e parë dhe të vetëm për ekipin e tij në duelin me Peruxhian, gol i realizuar në pjesën e parë, ndërkohë që miqtë barazuan shifrat 1-1 në pjesën e dytë, duke ia mohuar fitoren Peskarës dhe mesfushorit vlonjat. Mesfushori kuqezi shënoi me një gjuajtje nga larg dhe topi u ndal në trekëndëshin e majtë, lart, të portës së Peruxhias.
Në fakt, ishte një goditje dënimi, ku topi i shkelmua nga një prej shokëve të Memushajt, por u pengua në mur dhe u kthye mbrapsht. Në një largësi prej 20 metrash godet fluturimthi Memushaj që shënon një supergol, i cili mund të garojë si goli më i bukur i sezonit dhe është padyshim nga më të bukurit që ka realizuar në karrierën e tij mesfushori vlonjat.
Ky gol dhe loja e mirë e Memushajt e largojnë atë nga kritikat që pati javën e kaluar, si pasojë e shkaktimit të një 11-metërshi, teksa është kthyer në një lider të vërtetë për Peskarën, duke spikatur jo vetëm për pasimet për gol, por edhe me golat e tij të bukur e me peshë për skuadrën e tij.