AlbanianSport.com 12/04/2019 20:20
ASNN – Rozher Federer thyen një tjetër rekord, i pari në histori që qëndroi në 100-shen e parë për 1020 javë. Andres Agasi llogaritet si një prej tenistëve më të mirë në historinë e këtij sporti. Ai kishte regjistruar një rekord mbresëlënës në fund të karrierës, pasi llogaritej në 100 sportistët më të mirë të tenisit në të gjitha kohërat për plot 1019 javë, që do të thotë për gati 20 vjet rresht.
Por rekordin e Andres Agasit e theu një tjetër legjendë e sportit të tenisit. Është fjala për zviceranin Rozher Federer, i cili me një javë më shumë, pra 1020 javë, mban rekordin botëror e jetëgjatësisë si një prej 100 sportistëve më të mirë të këtij sporti në të gjitha kohërat. Natyrisht, rekordet e Federerit janë më të shumta se kaq, pasi ai ka qenë për vite me radhë numri një i botës.
Por thyerja e rekordit të Andres Agasit ka vlerë domethënëse të madhe. Është momenti t’i kthehemi fillimeve të karrierës së tij, kur ai hyri në renditjes e “ATP”-së në vjeshtën e vitit 1997, në atë kohë vetëm 16-vjeç. Në fakt, klasifikimi i mirëfilltë nisi dy vite më vonë, më 20 shtator të 1999-ës, ku ai hyri për herë të parë në 100 më të mirët e botës. Ka dhe një fakt tjetër interesant që e bën Rozher Federerin më të mirin e historisë së tenisit.
Zvicerani është tenisti me më shumë javë në krye të renditjes së përgjithshme (310 javë), në 5-shen e parë (772 javë), në 10-shen e parë (859 javë), në 50-shen e parë (989 javë) e tashmë në 100-shen e parë (1020 javë). Ka gjasa që rekordet e Rozher Federerit të thellohen edhe më tej, pasi ai është ende aktiv në fushat e tenisit dhe në fillim të këtij viti fitoi trofeun e parë për vitin 2019, një turne prestigjioz në Abu Dhabi.