AlbanianSport.com 12/04/2019 18:30
ASNN – S’ka më asnjanësi në Superkupën e Basketbollit, Federata shtang opinionin sportiv me vendimin e saj. Federata Shqiptare e Basketbollit ka marrë vendim në lidhje me datat dhe vendin ku do të zhvillohet Superkupa e Basketbollit për meshkuj dhe femra. Ndryshe nga e shkuara, ku zgjidhej një fushë asnjanëse për luajtjen e Superkupës, këtë herë fushat e përzgjedhura janë të njërës prej skuadrave që do ta diskutojnë këtë trofe.
Kjo duket sa intriguese, po edhe aq e çuditshme, megjithatë, në aspektin e pritshmërive për tifozët është gjë e mirë pasi motivon ekipet dhe ndez atmosferën. Kampionia në fuqi e Shqipërisë në basketboll për femra, Flamurtari, do të përballet me fituesen e Kupës së Shqipërisë, që është SHBF Tirana e trajneres Mirza Alibegaj. Duel mjaft interesant në Superkupën e femrave, pasi dihet rivaliteti midis këtyre dy skuadrave dhe njëherësh teknikëve Viron Toska dhe Mirza Alibegaj.
Kjo ndeshje do të luhet në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të Vlorës, të mërkurën, më 17 prill 2019, duke nisur nga ora 18:00. Kurse Superkupa në Basketboll për Meshkuj do të luhet në Pallatin e Sportit “Ramzan Njala” të qytetit të Durrësit, të enjten, më 18 prill 2019, ora 18:00. Ky trofe do të diskutohet ndërmjet kampionëve në fuqi, që janë Tirana, me fituesen e Kupës së Shqipërisë, Teutën. Zgjedhja e Durrësit dhe jo e kryeqytetit duhet parë në një këndvështrim pozitiv.
Që mund të ketë lidhje me tifozerinë dhe atë që Teuta ka bërë gjatë këtij edicioni në Ligën Ballkanike. Në tërësi, përzgjedhja është bërë jashtë kryeqytetit, për t’u dhënë mundësinë dhe qyteteve të tjera që të presin finale të tilla të rëndësishme ku diskutohet një prej trofeve sezonalë në sportin e basketbollit. Padyshim, Teuta tek meshkujt është favorite, nisur nga cilësia e grupit dhe avantazhi që jep fusha, kurse tek femrat mbetet një sfidë e hapur, sepse të dyja skuadrat janë pak a shumë në të njëjtin nivel.