AlbanianSport.com 12/04/2019 10:15
ASNN – Trajneri shqiptar e udhëheq Ferrarën drejt mbijetesës së paimagjinueshme vetëm para dy muajsh. Me fitoren e arritur në javën e 23-të, 82-75 në shtëpi ndaj Piaçencës, Ferrara e trajnerit shqiptar, Spiro Lekës, siguroi edhe matematikisht qëndrimin në Serinë A2 kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Por Leka mbetet modest, duke reflektuar në një tjetër “mision të pamundur” të përmbushur me sukses në karrierën e tij.
Dy javë para fundit, Ferrara ia ka dalë të sigurojë edhe matematikisht mbijetesën në Divizionin lindor të nivelit të dytë të kampionatit italian të basketbollit të meshkujve, Serisë A2. Por Spiro Leka mbetet modest, duke reflektuar në një tjetër “mision të pamundur” të përbushur me sukses në karrierën e tij. “Duhet të kujtoj para së gjithash, se cila ishte gjendje më 28 janar 2019, kur mora në dorë drejtimin e kësaj skuadre”, – ka deklaruar ai.
“Dhe dua filloj duke thënë se, tanimë Spiro Leka është vetëm maja e ajsbergut dhe ai që merr gjithë duartrokitjet, – ka vijuar Leka. – Por kini parasysh që është një punë e një tërësie faktorësh, që bënë të mundur arritjen e kësaj që unë e quaj një gjysmë-mrekullie sportive. Sepse të ishim të fundit dhe me të gjitha gjasat që të zbrisnim nga Kategoria dhe të vijmë tanimë edhe pranë të qenit në “play-off”-in për ngjitjen një kategori më lart, thjesht duhet t’i falënderoj të gjithë.”
Trajneri i mirënjohur shqiptare e cilësoi veten fatlum që i gjithë klubi i ishte përgjigjur filozofisë së tij. “E quaj veten me fat që kam gjetur këtu djem me cilësi njerëzore dukshëm mbi mesataren, dhe këtë nuk e them tani që siguruam mbijetesën dy javë para fundit, por e kam thënë që në fillim, – ka theksuar ai. – Kam gjetur një klub që nuk është i përkryer, sepse mund të përmirësohet në çdo drejtim, por, edhe në vështirësi, çdokush ka bërë të vetën, nga më i fundit, deri tek i pari.”
“Nëse nuk do të kishim dëmtimet që na goditën, sot do të flisnim për një tjetër ëndërr dhe do të mund ta kishim arritur, sepse këta djem kanë dhënë gjithçka, – ka vijuar shqiptari. – Kanë fituar, apo kanë humbur, shpesh për teka të fatit.” Për Lekën, ajo që ka bërë diferencën nuk ka qenë individi, por grupi, teksa kujton: “Nuk ka qenë e thjeshtë, sidomos për dikë që vjen nga jashtë klubit. Herën e fundit që shpëtova Pezaron, e kisha më të thjeshtë sepse isha pjesë e klubit, si ndihmëstrajner.”
“Dhe e njihja nga brenda gjendjen, – ka vijuar ai. – Këtu erdha si me parashutë dhe, për këtë arsye, merr edhe më tepër vlerë ajo që kemi bërë bashkë. Që nga dita e parë, kam thënë që këtu nuk ekziston “unë”, por ne dhe sot, që ia kemi dalë, nuk ka unë. Spiro Leka është trajneri i Ferrarës, por janë të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka e që nuk janë këtu me mua, janë heronjtë e mi.” Me fitoren e arritur në javën e 23-të, 82-75 në shtëpi ndaj Piaçencës, Ferrara e Spiro Lekës siguroi edhe matematikisht qëndrimin në Serinë A2 kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur.