AlbanianSport.com 02/04/2019 23:00
ASNN – Teutës i shtohet “oreksi” në Ligën Ballkanike, Gorea: “Synojmë trofeun dhe shkruajmë historinë”. Në fakt, Liga Ballkanike në basketboll për meshkuj është një veprimtari rajonale e koshit që ka shërbyer për skuadrat e vendeve të rajonit ballkanik që të masin forcat e tyre e në të njëjtën kohë të evidentojnë lojtarët e tyre në një veprimtari ndërkombëtare. Natyrisht, nuk është veprimtaria më e fortë, por është një mundësi për skuadrat pjesëmarrëse e sidomos për ekipet shqiptare, që ndeshjet në nivel ndërkombëtar i kanë të kufizuara.
Tashmë veprimtaria në fazën e sezonit të rregullt është mbyllur, por jo plotësisht, pasi për të përcaktuar fituesin duhet luajtur “play-off”-i. Në këtë fazë ka mundur të kualifikohet edhe skuadra e Teutës, e cila do të ketë një shans për të shkruar historinë. Për më tepër, ndeshjet do të luhen në datat 6 dhe 7 prill 2019 në Tiranë, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova”, ku Teuta do të ketë një shans për të përmbushur misionin e saj. Skuadra durrsake do të përballet me Beroen bullgare, skuadra që e mbylli në vend të parë kalendarin e ndeshjeve.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive “Panorama Sport”, kapiteni i skuadrës së Teutës, Kristi Gorea, u shpreh se Teuta do të bëjë maksimumin e saj për të arritur më të mirë dhe për t’i bërë krenarë të gjithë basketbolldashësit shqiptarë. “Liga Ballkanike ka qenë mjaft e veçantë për skuadrën tonë dhe sidomos për qytetin e Durrësit, – u shpreh Gorea, – sepse i ka dhënë një atmosferë tjetër dhe basketbolli tani ndiqet në mënyrë masive. Kjo veprimtari ka ndikuar në rritjen e emrit të Teutës si në Shqipëri dhe në Ballkan dhe kemi krijuar falë rezultateve tona një imazh më të mirë.”
“Por në të njëjtën kohë ky aktivitet na dha mundësinë të njohim skuadrat kundërshtare dhe forcën e tyre, gjë që do të na ndihmojë në vitet e ardhshme dhe në pjesëmarrjet e ardhshme të skuadrës tonë, – ka vijuar kapiteni i skuadrës bregdetare. – Kjo veprimtari në fazën finale do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe kjo është një tjetër anë pozitive, sepse do të kemi mbështetjen e tifozëve. Ne do të futemi në këtë fazë finale për të bërë më të mirën dhe për të shkruar historinë. Në gjysmëfinale do të ndeshemi me Beroen, një nga 3 skuadrat më të mira të Bullgarisë.”
“Por edhe me një buxhet 10 herë më të madh se i klubit tonë. Ekipi ynë vjen nga një kampionat i gjatë dhe i lodhshëm, por shpresojmë të bëjmë më të mirën dhe do të japim maksimumin tonë për të shënuar një rezultat historik. Me këtë rast dua të ftoj të gjithë sportdashësit tanë në Durrës dhe të gjithë dashamirësit shqiptarë të basketbollit të vijnë të na mbështesin në “4-shen finale”, që ta kthejmë këtë veprimtari në një atmosferë festive e t’i tregojmë Ballkanit që edhe ne dimë të luajmë basketboll”, – përfundoi kapiteni i Teutës, Kristi Gorea.