AlbanianSport.com 02/04/2019 17:30
ASNN – Atletika ka pak elementë cilësorë, por që kanë mundur të përfaqësojnë me dinjitet vendin në veprimtaritë ndërkombëtare. Dikur kishte masivitet, me afro 2,500 atletë të federuar, kurse sot ka pak sportistë që u janë përkushtuar pistave të vrapimit apo disiplinave të kërcimit e hedhjeve.
E megjithatë, falë punës së disa trajnerëve të apasionuar, këto sporte vijojnë të ushtrohen në Shqipëri. Një nga trajnerët e spikatur të atletikës, me karrierë gati gjysmëshekullore, njëherësh trajner profesionist i Dinamos prej 40 vjetësh, Vaso Selenica, përpiqet të mbajë gjallë disiplinat atletike të hedhjeve, kryesisht atë të çekiçit.
Trajnerin e gjen përditë prapa ish-“Sheratonit”, atje ku ndodhet këndi i hedhjeve, por kjo është atletikë nga halli, pasi nuk ka as infrastrukturë, as ndërtesë ku të sistemohet baza materiale, as standarde të pistave e këndit të hedhjeve, e jo më të bëhet fjalë për dushe ku sportistët të lahen pas seancave stërvitore.
Vetë Selenica, apelon tek institucionet, si Bashkia e Tiranës, por edhe dikasteret, të bëjnë diçka që të paktën këndi i hedhjes të plotësojë standardet për gara, në të kundërt Tirana, kryeqyteti i vendit, do të mbetet pa asnjë mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e garave të atletikës.
Kjo është intervista që trajner me përvojë të gjatë i atletikës shqiptare ka dhënë së fundmi për të përditshmen shqiptare, Gazetën “SOT”, intervistë të cilën AlbanianSport,net po jua sjell në 3 pjesë dhe sot është pjesa e 3-të dhe e fundit.
… vijon nga dje
– Kur ishte “Qemal Stafa”, megjithëse nuk ishin parametrat maksimale, të paktën ishte pista, kurse sot… A ka ndonjë vend në Tiranë ku mund të ndërtohet një kompleks për atletikën e kryeqytetit?
– Pista në ish-stadiumin “Qemal Stafa” u prish, ajo nuk jetoi as sa afati që ishte bërë, pra për 12 vjet, domethënë as atë nuk e shijuam. Natyrisht që i plotësonte kriteret kryesore për stërvitje dhe gara. Sportistët ishin brenda impiantit dhe stërviteshin normalisht, kishte standarde për garat. Në momentin kur u prish stadiumi, duhej që vetë shteti t’i kërkonte FSHF-së dhe kompanisë që ndërtoi stadiumin e ri t’i bënte më parë pistën, se ky është detyrim, por nuk ndodhi. Sa i takon vendit ideal për të ndërtuar një kompleks për atletikën është kompleksi “Studenti”, i cili ka mjedise ku mund të bëhet këndi i hedhjes e madje edhe pista e vrapimit, që do të shërbente jo vetëm për stërvitje, por edhe për gara. Por atje është planifikuar kampus universitar… megjithatë, kudo të ishte, madje edhe jashtë Tiranës, do të bënte punë, do t’i jepte atletikës frymëmarrje. Sidoqoftë, me gjithë këto vështirësi e pengesa, edhe kështu si jemi katandisur, prapë funksionojmë, ia kemi dalë të mbajmë gjallë atletikën dhe kjo është fitore e madhe.
– Si paraqitet pjesëmarrja?
– Nuk vuajmë për masivitet, na duhet më shumë cilësi. Por cilësia vjen me infrastrukturën dhe investimin në kuadrin teknik. Sot që flasim atletika i ka rezultatet më të mira me dy atletë, Luiza Gegën dhe Izmir Smalajn, por kërkohet që klubet të motivojnë sportistët elitarë me pagë. 250 mijë lekë të vjetër (ka që marrin më pak) nuk mjaftojnë për një sportist, të themi realitetin. Ka trajnerë që s’marrin asgjë, vijnë e stërvitin të rinjtë thjesht për pasion. Por askush nuk ka kohë me tepri të shpenzojë nga jeta e tij kur nuk përfiton asgjë. Vetëm sportistët e Tiranës përfitojnë diçka nga Bashkia, ndërsa ka një VKM për trajnerët që u jep 100 mijë lekë të vjetër. A mjafton kjo shumë për një trajner që duhet të rrijë 3-4 orë në stërvitje me sportistin?
– Çfarë ekipi keni aktualisht?
– Stërvis një grup prej 7 vajzash dhe një djalë, të moshës nga 13 deri në 16 vjeç. Kam dhe një sportiste elitare që është mësuese, Emiliana Ciko, kampione dhe rekordmene e hedhjes së çekiçit me 59.37 m. Siç e dini edhe ju, unë kam 40 vjet si trajner profesionist i atletikës tek Dinamo. Kam kaluar nëpër duar sportistë cilësorë si Dorian Çollaku (rekord kombëtar në çekiç me 76.98), Ajet Toskën (rekordmen më 1991), Emiliana Cikon, Lorena Drenovcin, Arvisa Aliajn, Edmond Kacanin, Ardit Merdanaj etj. Krahas kësaj, kam qenë përgatitës atletik i shumë sportistëve dhe skuadrave të futbollit si Dinamo, Besa, Vllaznia, Kukësi, Laçi, Tërbuni etj.
– Si e shihni të ardhmen e atletikës shqiptare?
– Po s’u bë pista e atletikës, këndi i hedhjeve apo që trajnerët të paguhen me rrogë në të gjithë Shqipërinë e të mos rrimë duke pritur ka Bashkia para, e s’ka Bashkia para, atëherë nuk do të kemi atletikë. Vetëm duke plotësuar kushtet në infrastrukturë, duke paguar trajnerët dhe duke ridimensionuar klubet do ta shpëtojmë atletikën. Atletikë pa lekë dhe pa kushte nuk bëhet, kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.
Kush është Vaso Selenica?
Datëlindja: 23.12.1954
Vendlindja: Peshkopi
Vendbanimi: Tiranë
Karriera teknike: Trajner profesionist që nga viti 1979 në sistemin zinxhir të Dinamos