AlbanianSport.com 02/04/2019 15:40
ASNN – Shqiptari spikati me skuadrën e Ustit, por u mund në 3 duele përballë favoriteve të Çeske Budejovicës. Sportisti shqiptar, Redi Koçi, i cili u zhvendos në volejbollin çek pas një sezoni të kënaqshëm në volejbollin finlandez, e ka mbullur në fundjavë aventurën e tij me skuadrën e tij, Ustin.
Përtej një sezoni me luhatje, skuadra e volejbollistit shqiptar, pati triumfuar në 3 ndeshje në turin eliminator ndaj Pribramit, duke siguruar vendin në çerekfinalet e “play-off”-it për titullin “kampion” të Ekstraligës së meshkujve në Republikën Çeke.
Ndonëse ishte skuadra më pak e favorizuar, teksa u rendit e 10-ta në sezonin e rregullt të nivelit më të lartë të rrjetës çeke të meshkujve, skuadra e 23-vjeçarit pati treguar karakter, duke u kualifikuar. Ekipi i volejbollistit 2 m e 3 cm të lartë e fitoi duelin e parë në fushën të huaj me Pribramin, duke triumfuar në 5 sete.
Por skuadra e ish-volejbollistit të Farka Volejit ka vijuar ta humbë, madje në 3 sete duelin e dytë më fushën e vet, duke krijuar idenë e një dështimi që në këtë fazë. Megjithatë, e udhëhequr edhe nga loja agresive e volejbollistit të Kombëtares kuqezi, Usti ka treguar vetëbesim dhe siguri në vetvete, duke triumfuar në 5 sete në një duel të 3-të epik, madje në fushën e kundërshtarit.
Në çerekfinale skuadrën e Koçit e priti një kundërshtar i vështirë si Çeske Budejovica, e cila e mbylli sezonin e rregullt në krye të renditjes, me 18 fitore dhe 4 humbje, përkundër 7 fitoreve dhe 15 humbjeve të Ustit. Çerekfinalet u zhvilluan me 3 takime dhe ekipi i Koçit u mund në të 3 takimet, 0-3, 0-3 dhe 1-3 nga Çeske Budejovica, që ka vijuar të kualifikohet për në gjysmëfinale.