AlbanianSport.com 31/03/2019 20:55
ASNN – Një nga turnetë e rëndësishëm të xhudos për këtë vit, Çmimi i Madh i Tbilisit, një “Grand Prix” që zhvillohet në Gjeorgji, rezultoi me fat dhe triumfues për xhudon e Kosovës, e cila siguroi dy medalje ari. Dy sportistë morën pjesë dhe të dy kthehen në Kosovë me medalje ari, duke shënuar suksesin e radhës së xhudos shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në Tiranë, shqiptarët dominojnë Kampionatin Ballkanik, kurse shqiptarët e Kosovës dominojnë turneun e Tbilisit në Gjeorgji.
Pas Nora Gjakovës, e cila fitoi medaljen e artë ditën e premte, në peshën 57 kg, të dielën Loriana Kuka fitoi të artën në peshën 78 kg. Loriana bëri një paraqitje të shkëlqyer nga fillimi e deri në fund. Në fakt, turin e parë e kaloi pa garë falë pozicionit në renditjen botërore dhe cilësisë që ajo ka, kur mban vendin e dytë. Në turin e dytë Kuka kaloi iranianen Rani Rani, kurse në çerekfinale u përball me holandezen Lukasen, të cilën e kaloi me mjeshtëri. Këto dy takime Kuka i zhvilloi të shtunën.
Në gjysmëfinale Loriana Kuka u përball me francezen Estele Postive, një duel i zhvilluar këtë të diel në mëngjes. Ishte një ndeshje e fortë, por xhudistja kosovare është tani e kalibrit botëror. Në finale xhudistja shqiptare u përball me kubanezen Antomarçi, të cilën e mundi pas një dueli mjaft të fortë dhe emocionues, duke siguruar medaljen e artë dhe duke siguruar edhe më tej pikë të vlefshme olimpike. Siç dihet, nga qëndrimet e federatës kosovare të xhudos, 5 sportistë kryesorë të këtij sporti në Kosovë e kanë siguruar deri tani pjesëmarrjen në “Tokio 2020”.