AlbanianSport.com 30/03/2019 18:55
ASNN – Tiranës ia heqin fitoren nga duart në minutën e 100-të, Laçi del me një pikë nga “Selman Stërmasi”. Tirana kishte premtuar fitore kundër Laçit në duelin e sotëm që u luajt në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, për t’ia dedikuar atë ikonës bardheblu Ali Memës. I ndarë nga jeta ditën e martë. Për më tepër, Ali Mema është babai i trajnerit bardheblu Ardian Mema, i cili, i pezulluar nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-së, e ndoqi ndeshjen nga tribuna.
Ai u emocionua së tepërmi që në stadium u mbajt një minutë heshtje dhe tifozët shpalosën një banderolë ku përjetësonin në zemrat e tyre Ali Memën. Kjo ndeshje përfundoi në barazim 1-1, por më shumë se loja dhe rezultati prodhoi emocione të një karakteri tjetër, një emocion negativ, pasi një prej gjyqtarëve anësorë u godit nga një shishe e ardhur nga tribuna dhe Tirana, edhe pse po e fitonte ndeshje deri në minutën e 9-të shtesë, pikërisht në sekondat e fundit Laçi barazoi.
Skuadra kurbinase doli me një pikë nga kjo përballje, duke bërë që të irritohet stafi i Tiranës dhe tifozët e saj, sepse gjyqtari Kridens Meta kishte akorduar kohë shtesë në përmasë ekstremisht të tepërt. Në fakt, pjesa e parë nuk pati ndonjë ritëm të lartë dhe nuk dha emocion në aspektin e lojës, por në minutën e fundit të këtij fraksioni të ndeshjes, Tirana gjeti golin e epërsisë me anë të Sentamusë. Ishte një gol me vlera sepse në pjesën e dytë bardheblutë jo vetëm ishin psikologjikisht më lart, por edhe këmbëngulën të shënonin gola të tjerë.
Rasti më i mirë ishte në minutën e 53-të, kur Grent Halili u pengua në zonë. Ishte një 11-metërsh që ngjallte diskutim, por këtë mundësi Tirana nuk e shfrytëzoi dot, pasi Edon Hasani nga pika e bardhë nuk e dërgoi dot topin në rrjetë. Portieri Selmani i Laçit bëri mrekullinë, duke e grushtuar topin. Për minuta të tëra Tirana përpiqej të gjente golin e dytë dhe të qetësisë, por rastet shpërdoroheshin. Kur vjen fundi i ndeshjes, gjyqtari Kridens Meta akordon 6 minuta shtesë.
Por gjatë minutës së 4-t shtesë dëmtohet gjyqtari anësor. Loja ndërpritet dhe për këtë ndërprerje, Meta akordon 3 minuta shtesë mbi shtesën. Diçka që shfrytëzohet nga Laçi, pasi, kur ndeshja po i afrohej minutës së 100-të, vjen ndëshkimi. Kundërsulm i shpejtë i kurbinasve që jep efekt, sepse Xhixhua shfaqet i vetëm në zonë dhe mposht portierin e Tiranës, duke barazuar shifrat 1-1. Kaq mjaftoi dhe ndeshja u mbyll pa shkuar topi në mesin e fushës.
Fishkëllima e Metës solli stafin e Tiranës në fushë për t’i kërkuar llogari gjyqtarit, por ndërhyjnë rojet e sigurisë dhe i ndalojnë. Në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes ka tension të madh dhe palët përplasen, por e sigurt është se rezultati nuk ndryshon dhe të dyja skuadrat dalin me një pikë nga kjo ndeshje, ku më të fituar dalin kurbinasit e më pak Tirana, të cilës i rrëshqiti fitorja nga duart dhe në tabelën e renditjes rrëshqet me një pozicion, duke zbritur në vendin e parafundit, pasi Luftëtari e parakalon me një pikë më shumë (31-30).
Kategoria Superiore
Java e 26-të
Të premten, 29 mars 2019:
Kukësi – Partizani 1-1
Të shtunën, 30 mars 2019:
Luftëtari – Skënderbeu 1-0
Tirana – Laçi 1-1
Teuta – Kastrioti 1-0
Flamurtari – Kamza 3-0 (në tavolinë)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 26 16 6 4 30-12 54
- Kukësi 26 13 6 7 28-17 45
- Teuta 26 11 10 5 31-22 43
- Laçi 26 9 11 6 21-20 38
- Flamurtari 26 10 8 8 24-19 38
- Skëndërbeu 26 11 4 11 27-24 37
- Luftëtari 26 9 4 13 24-30 31
- Tirana 26 7 9 10 29-27 30
- Kastrioti 26 7 3 16 22-42 24
- Kamza 26 4 5 17 13-36 17