AlbanianSport.com 30/03/2019 17:25
ASNN – Bekim Balaj nuk të fal në rastin më të parë, por Akhmat Grozni nuk di të fitojë. Balaj luajti sot titullar në duelin që skuadra e tij Akhmat Grozni zhvilloi ndaj Spartakut të Moskës, një ndeshje që çeçenët e humbën me rezultatin 3-1. Në fakt, e para shënoi skuadra e Akhmat Groznit dhe ishte pikërisht sulmuesi shkodran i Kombëtares kuqezi, Balaj, ai që shënoi për ekipin e tij.
Ishte një moment kur topin po e kontrollonte kundërshtari, por një largim i gabuar nga portieri bën që të përfitojnë lojtarët e Akhmat Groznit dhe Balaj merr një top me shpejtësi nga një prej shokëve dhe pasi rrotullohet në drejtimin e duhur, ekspozohet në hyrje të zonës përballë portierit kundërshtar. Gjuan me të majtën tokazi dhe tund rrjetën, duke bërë që t’i afrohen shokët e ta përqafojnë.
Ishte gol me vlera në aspektin personal, pasi skuadra e Balajt, pra Akhmat Grozni, humbi me shifrat 1-3. Ndërkohë, duhet thënë se sulmuesi shkodran po kalon një formë të mirë dhe ka shënuar rregullisht kohët e fundit me skuadrën e tij dhe ka peshë lideri në sulmin e skuadrës çeçene. Në të njëjtin ekip është pjesë edhe Odise Roshi, i cili në këtë takim ishte në stol, por nuk u aktivizua.
Roshi ka prej disa muajsh që është i dëmtuar dhe nuk ka luajtur fare. Ai është kthyer në stërvitje normalisht dhe pret një mundësi aktivizimi. E ardhmja e dy lojtarëve tek Akhmat Grozni, pra qëndrimi edhe për sezonin tjetër, duket i vështirë, ndërsa Balaj ishte edhe autori i golit të dytë në fitoren 3-0 të Shqipërisë ndaj Andorrës, ku ai realizoi edhe pse u fut në fushë në gjysmën e pjesës së dytë.