AlbanianSport.com 29/03/2019 19:55
ASNN – Partizani “vret” kampionatin, pas 26 vjetësh ka vetë në dorë fatet e titullit. Partizani vendos një dorë tek titulli. Nuk fitoi, vetëm barazoi ndaj Kukësit, por ky barazim ka shijuar më shumë se një fitore, pasi të kuqtë ruajnë distancën prej 9 pikësh nga verilindorët, një diferencë që i mundëson Partizanit të afrohet gjithmonë e më shumë me titullin “kampion”, një titull që skuadra e kuqe prej 26 vjetësh. Kryedueli i javës së 26-të të Kategorisë Superiore u luajt në Shkodër, në Stadiumin “Loro Boriçi”, dhe që e përcollën edhe mjaft figura të spikatura që kanë luajtur në kampionatin shqiptare e një prej tyre ishte kroati Pero Pejiç,.
Një lojtar që ka qenë dy sezone më parë tek Kukësi. Pjesa e parë e takimit nuk prodhoi ndonjë surprizë. Portierët patën shumë pak punë dhe ekipet luajtën me mjaft kujdes në fushë, duke menduar vetëm për mbrojtjen. Diferenca u bë në pjesën e dytë, kur Ramadan Ndreu i Kukësit futi në fushë Rexhinaldon, i cili në minutën e 55-të ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi të fituar nga Valdet Rama, duke e dërgur topin në trekëndëshin e djathtë të portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. 1-0 dhe Kukësi ngriti peshë zemrat e tifozerisë verilindore që tani mund të besonin në rihapjen e fateve të titullit.
Por euforia i bëri dëm, sepse Partizani u tregua mjaftueshëm cinik për të goditur në momentin më të mirë. Një ndërhyrje e gabuar e Cuculit në minutën e 61-të solli akordimin e një 11-metërshi për Partizanin. Gjyqtari Enea Jorgji tregoi menjëherë nga pika e bardhë dhe ai që e fitoi 11-metërshin, Jasir Asani, merr përsipër edhe ta gjuajë. Dhe me të majtën e tij gjuan në qendër të portës, duke shënuar golin e barazimit. Festa e të kuqve në fushë dhe stol është e madhe dhe tifozeria e kuqe kalon në delir të plotë. Është një festim i merituar. Kukësi “kthjellohet” dhe nis të sulmojë, me shpresën se do të gjente golin e barazimit.
Por i bëri llogaritë në kohën e gabuar, sepse dihet forca mbrojtëse e Partizanit, një skuadër që repartin difensiv e ka solid dhe të padepërtueshëm. Pavarësisht përpjekjeve të verilindorëve, Partizani rezistoi dhe ia doli të marrë një pikë me vlerë për fatet e edicionit. Një pikë, por vlen sa një fitore, pasi shkon në 54 pikë dhe ruan distancën prej 9 pikësh me Kukësin e vendit të dytë që me pikën e sotme në Shkodër shkon në 45 pikë. Mbeten edhe 10 javë garë deri në fund, por dukshëm Partizani ka bërë një hap të madh përpara drejt titullit dhe entuziazmin e këtij suksesi e shfaqi në fund të ndeshjes edhe trajneri Skënder Gega.
I cili, pavarësisht rezervimit të tij për të thënë fjalë të mëdha, pranon se pika e marrë në “Loro Boriçi” ishte me peshë për fatet e sezonit. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të javës së 26-të do të luhen këtë të shtunë dhe kanë po ashtu peshë të rëndësishme për vazhdimësinë, sepse Luftëtari përplaset me Skënderbeun dhe Kastrioti me Teutën (në Durrës), ku të dyja skuadrat e fundtabelës duan pikë për të shpresuar mbijetesën. Dueli më i fortë pritet të jetë ai i orës 17:00 midis Tiranës dhe Laçit, një përplasje e dy skuadrave që kanë një nivel pak a shumë të njëjtë.
Kategoria Superiore
Java e 26-të
Të premten, 29 mars 2019:
Kukësi – Partizani 1-1
Të shtunën, 30 mars 2019:
Luftëtari – Skënderbeu (14:00)
Tirana – Laçi (17:00)
Teuta – Kastrioti (17:00)
Flamurtari – Kamza 3-0 (në tavolinë)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 26 16 6 4 30-12 55
- Kukësi 26 13 6 7 28-17 45
- Teuta 25 10 10 5 30-22 40
- Skënderbeu 26 12 4 10 30-23 40
- Laçi 25 9 10 6 20-19 37
- Flamurtari 25 9 8 8 21-19 35
- Tirana 25 7 8 10 28-26 29
- Luftëtari 25 8 4 13 23-30 28
- Kastrioti 25 7 3 15 22-41 24
- Kamza 26 4 5 17 13-36 17