AlbanianSport.com 29/03/2019 19:00
ASNN – Trajneri Lazimi dhe kapiteni Thano flasin para sfidës së të shtunës me rivalen bregdetare. Goga Basket përballet të shtunën në duelin e kreut me Teutën, në një ndeshje që për trajnerin Melzin Lazimi ka vlerë përtej faktit që sezonit të rregullt po i vjen fundi.
Ndërsa për kapitenin e Goga Basket, Niko Thano, derbi mbetet derbi. Fakti që luan në fushën e vet është një shtysë shtesë dhe këtë e pranon si trajneri, ashtu edhe kapiteni i Goga Basket. Lazimi i vlerëson lart kundërshtarët e mundshëm në “play-off”-in për titull, ndërsa Thano është i përqendruar tek mbyllja e sezonit të rregullt.
Megjithatë, për trajnerin e Goga Basket, skuadra e tij mbetet e përqendruar tek loja e saj, pa u ndikuar nga kundërshtarët. Takimi midis Goga Basket dhe Teutës, i vlefshëm për javën e 18-të të Superligës së basketbollit të meshkujve, luhet të shtunën, në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, duke nisur nga ora 17:00.