AlbanianSport.com 27/03/2019 15:20
ASNN – “Ferrari” ka konfirmuar se Mik Shumakeri do të bëjë debutimin e tij me makinë “SF90” në ditën e parë të testeve për Çmimin e Madh të Bahreinit, të martën në 2 prill 2019.
Piloti gjerman do të jetë në pistë gjatë gjithë ditëve të programuara për provat në cirkuitin e Al-Sakhirit, duke filluar me “Ferrarin”, ndërsa të mërkurën me makinën e skuadrës “Alfa Romeo Racing”.
“Jam me të vërtetë i lumtur për këtë mundësi që më kanë dhënë, – ka thënë Shumakeri i ri. – Dua ta falënderoj “Ferrarin” që mendoi për mua. Mezi pres të shijoj këtë përvojë të jashtëzakonshme.”
“Sidoqoftë, për momentin nuk dua të mendoj për “Ferrarin” apo “Alfa Romeo Racing”, por dua të përqendrohem në debutimin në Formula 2, – ka vijuar ai. – Deri të dielën preferoj të mendoj vetëm për këtë.”
Pas testin në Bahrein, “Ferrari” do t’i japë mundësinë Mik Shumakerit që të bëjë një tjetër test me një “kokëkuqe” edhe në Barcelonë. Mundësi të shkëlqyera këto për pilotin e ri gjerman.