AlbanianSport.com 27/03/2019 14:25
ASNN – Në dy vitet e fundit, asnjë skuadër kombëtare nuk ka mundur të përmbushë objektivat e saj. Ka një rënie në cilësinë e paraqitjeve në fushë dhe rezultate skandaloze, që nuk përputhen me deklaratat pompoze që nxjerr zyra e talenteve të ekipeve kombëtare në FSHF. Edhe pse vijnë lojtarë që luajnë jashtë vendit, si në Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani e madje dhe nga Spanja e vendet nordike, sërish rezultatet mungojnë.
Për të evituar ndonjë skandal në përmasa të mëdha, FSHF bëri ndryshime në drejtim, duke zëvendësuar trajnerët me emra të tjerë, për t’u dhënë impulse të reja ekipeve kombëtare. Ka dhe një zyrë menaxheriale që është përgjegjëse për evidentimin dhe seleksionimin e elementëve dhe madje janë hapur dhe zyra në rrethet kryesore për të evidentuar talentet. Por sa më shumë kalon koha më pak lojë cilësore kemi e më pak rezultate korrim.
Ka diçka që nuk shkon dhe çelësi duhet kërkuar në dy drejtime kryesore: puna me ekipet zinxhirë me klubet brenda vendit, si dhe seleksionimi i lojtarëve që luajnë jashtë, pra tek kuadri i aftë që duhet të kryejë grumbullim-seleksionimin. Këto dy hallka duket se kanë çaluar dhe rezultatet e konfirmojnë këtë. Duke nisur nga kombëtarja e Nën-15-vjeçarëve e deri tek Kombëtarja e nën-21-vjeçarëve, asnjëra nuk ka sukses në rang ndërkombëtar.
Për ta përshkruar më mirë duhet të shërbejë ndeshja e fundit e 21-vjeçarëve ndaj moshatarëve të tyre të Andorrës, një ndeshje e mbyllur në barazim 2-2. Mbrojtje katastrofë, lojë e çorganizuar, pa ndonjë ide të qartë në funksionim dhe një sulm i shkëputur e aspak i shpejtë. Kur mendon se kjo skuadër është baza e Kombëtares në të ardhmen, të vjen ndërmend dështimi i paralajmëruar. Në këtë analizë, kulmin e dështimit e ka Kombëtarja e madhe.
Ajo i shpëtoi rënies në Ligën D të Ligës së Kombeve për një “qime”, dështoi ta nisë mbarë “Euro 2020”-ën pas disfatës në Shkodër 0-2 ndaj Turqisë dhe fitorja me Andorrën vetëm sa ka fshehur problemin real që ka ekipi kombëtar. Nuk ka lojtarë të nivelit të lartë, nuk ka lojtarë që luajnë rregullisht me skuadrat e tyre, ka një përzgjedhje elementësh të diskutueshëm dhe nuk ka një strategji funksionimi si ekip, sepse grupi nuk lidhet e për rrjedhojë nuk është harmonik në ndeshjet zyrtare.
Ish-trajneri Panuçi mori me vete edhe dështimin e skuadrës, por Andorra, fitorja ndaj saj, nuk mat realisht potencën e kësaj skuadre dhe vetëm sa ka shtyrë shpërthimin e një skandali që vjen rrotull prej kohësh. Dhe ky skandal lidhet me grupin i cili është jo në lartësinë e duhur. Ajo që mbetet të bëhet ka të bëjë me një strategji afatgjatë siç kanë bërë vendet e tjera, një projekt dhjetëvjeçar me seleksionimin e më të mirëve dhe ndjekjen e tyre në vijimësi.
Ndoshta duke rritur forcën e kampionatit shqiptar, gjë që për momentin duket e vështirë. Elementi i fundit por jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me Kosovën. Dalja në skenën ndërkombëtare e saj ka zbehur forcën e kuqezinjve, pasi një pjesë e lojtarëve më të mirë po zgjedhin të përfaqësojnë pikërisht kombëtaren tjetër shqiptare. Milot Rashica, Arbër Zeneli, Edon Zhegrova, e të tjerë, janë cilësisht më lart se skuadra kombëtare e Shqipërisë.
Në FSHF këto gjëra duhet t’i kenë në tavolinën e analizës së tyre, në të kundërt na presin dështime edhe më të mëdha.