AlbanianSport.com 27/03/2019 10:45
ASNN – FIFA do të hetojë për nënshtetësinë e tij, është ukrainas apo brazilian. Një barazim i çmuar, i marrë kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldon dhe 3 pikët akoma edhe më të rëndësishme të marra ndaj Luksemburgut, mund të zerohen për Ukrainën. Luksemburgasit kanë apeluar praninë në fushë të Zhunjor Moraeshit, gjë që do të hetohet nga FIFA, dhe përfaqësuesja e drejtuar nga Andrij Shevçenko rrezikon humbjen e dyfishtë në tavolinë.
Sipas mediave, Pol Filip, presidenti i Federatës së Futbollit të Luksemburgut, ka reklamuar faktin se pse sulmuesi i Shahtjorit të Donjeckut, në fushë i pranishëm 14 minuta kundër Portugalisë, nuk i kishte dokumentet e rregullta për të luajtur me një përfaqësuese tjetër, nga ajo e origjinës, Brazili. Sipas organizmit që qeveris futbollin botëror, pas moshës 18 vjeç, duhet të jetosh pa ndërprerje për 5 vjet në shtetin e ri, përpara se të veshësh fanellën e asaj përfaqësueseje.
Por Moraeshi ka jetuar vetëm 4 vite e 8 muaj në Ukrainë, e për më tepër, në 2017 është transferuar për 6 muaj në Kinë, ku ka luajtur me Tianxhin Kuanxhianin. Ukraina është përgjigjur nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së saj të Futbollit. “Sipas ligjit tonë, Moraeshi ka jetuar për 5 vite në vendin tonë”, – ka thënë ai, duke sqaruar se në Ukrainë, kriteri për të marrë nënshtetësinë parashikon që një njeri duhet të jetë të paktën 180 ditë të vitit në territorin e saj. Tashmë i takon FIFA-s për të vendosur.