AlbanianSport.com 26/03/2019 20:45
ASNN – Kombëtarja e 21-vjeçarëve u ndesh të martën në mbrëmje me Andorrën, në një duel në kuadër të eliminatoreve të Evropianit të vitit 2021 të kësaj grupmoshe. Natyrisht, kjo ndeshje duhej të ishte me moral të lartë për skuadrën e trajnerit Alban Bushi, pasi një ditë më parë Kombëtarja e madhe kishte fituar ndaj përfaqësueses së Andorrës me shifrat e thella 3-0.
Por nuk ishte e thënë të ndodhte kështu, sepse Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve barazoi 202 me mjaft vështirësi, në një duel që po e humbiste deri 3 minuta para përfundimit. Kurrë më parë një skuadër përfaqësuese nuk është paraqitur më dobët, për më tepër ndaj një kundërshtari modest sikurse Andorra e kësaj moshe. Mbrojtja rezultoi pika e dobët e Kombëtares së trajnerit Bushi.
Mangësi të theksuara në mbulimin e kundërshtarit dhe vështirësi në lidhjen e reparteve. Në minutën e 19-të Andorra bën surprizën duke shënuar me Alaezi. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat. Në pjesën e dytë, i sapofuturi në fushë Omar Ymeri realizoi golin e barazimit në minutën e 53-të. Por ky moment i mirë i kuqezinjve do të zgjaste fare pak.
Ishte sërish Alaez që shënoi për vendasit pas një gabimi foshnjarak të mbrojtjes kuqezi. Minutat kalonin dhe tensioni në radhët e lojtarëve shqiptarë ishte shumë i madh. Gjithsesi, në minutën e 87-të ishte Din Sula që barazoi shifrat në 2-2. Minutat e mbetura nuk prodhuan më gola të tjerë, pavarësisht përpjekjeve të ekipit të Nën-21-vjeçarëve shqiptarë.
Natyrisht, u kujtuan me vonesë të sulmonin si duhet, gjë që ishte e pafalshme. Sidoqoftë, pas kësaj ndeshjeje Shpresat e Bushit marrin pikën e parë në këto eliminatore, përkundër asaj që në fakt kanë humbur dy pikë ndaj një kundërshtari modest. Siç dihet, 3 ditë më parë kjo skuadër u mund nga moshatarët turq me rezultatin 2-1 në një takim të luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”.