Gjergj Vyshka 29.11.2014 17:40
Pallati i Sportit ka qenë i bllokuar në të gjitha krahët, sepse në sallën kryesore ka qenë gjimnastrada, kurse në sallën Nr. 2 volejbolli i femrave në Kupën e Flamurit. Dhe në këto kushte, Studenti i trajnerit Ylli Tomorit, që është në prag të sfidës së sotme me Tiranën për kampionat, që do të luhet sot në ora 18:00 në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, ka mbetur pa stërvitje.
Dhe kur ka kërkuar të bëjë stërvitje në sallën kryesore, gjithnjë në mbarim të gjimnastradës, gjithçka ka qenë e bllokuar nga ndeshja e basketbollit të femrave, Studenti-Vllaznia. Madje dhe për këtë ndeshje të gjithë kanë qenë të paqartë, të paktën punëtorët e Pallatit, të cilët edhe duke e ditur se takimi luhej të dielën në ora 12:00, ishin duke e bërë gati sallën kryesore për “Dëshmitarët e Jehovait”.
Por ajo që është më kryesorja, Studenti si kampione e volejbollit të meshkujve dhe si paguese e rregullt në Pallatin e Sportit ka mbetur pa stërvitje, gjë që nuk është normale…