AlbanianSport.com 23.09.2014 21:40
ASNN – Albpetroli i Llazar Dushit, që do të marrë pjesë në Kategorinë e Dytë, duket se është një skuadër pa pretendime, teksa është thjesht për respekt të kampionatit në këtë garë. Kështu duket se kanë deklaruar drejtuesit e skuadrës patosarake, gjë që është reflektuar dhe në faqen e “Facebook”-ut të skuadrës së Albpetrolit.
Por kjo gjë duket se i ka lënë të pakënaqur tifozët e kësaj skuadre, që kanë pritur një ekip më me shumë ambicje, i cili nuk duhet të qëndrojë shumë gjatë në Kategorinë e Dytë. Jo vetëm kaq, por duhet të kthehet menjëherë në të Parën, atje ku ishte deri në fund të sezonit 2013-2014.
Mirëpo, edhe për shkak të kushteve ku mund të gjinden, sepse Albpetroli është skuadër që paguhet nga buxheti i Bashkisë së Patosit, Albpetroli ka ulur pretendime. E kjo nuk është në të mirë të futbollit patosarak, që përpos asaj vlere të mirë ndër vite që ka pasur në aktivitetet kombëtare, shënon dhe një pjesëmarrje të saj në Kupat e Evropës më 1993.