AlbanianSport.com 26/03/2019 18:00
ASNN – Fitorja e Shqipërisë ndaj Andorrës, plotësisht e merituar dhe me vlerë 3 pikë, plus që ktheu moralin e mirë të grupit, në asgjë tjetër nuk duket se bind. U pa një skuadër që kishte thjesht dëshirë të fitonte, por aspak profesionale në lojën e saj. E pranojnë edhe analistët, Shqipëria fitoi ndaj Andorrës pasi pati përballë ca amatorë dhe nga gafat e portierik mik u arritën të shënoheshin dy golat e parë dhe i vetmi që mund të mbajë firmën e vërtetë të meritës së kuqezinjve është vetëm goli i tretë i shënuar nga Abrashi.
Shqipëria e fitoi këtë ndeshje në rezultat, por e vërteta është se më për shtat do të ishte të thonim se ndeshjen e humbi Andorra me gabimet e saj. Kjo fitore duhet t’i gëzojë të gjithë për tri pikët, por nuk duhet të gëzojë askënd në skuadër dhe në FSHF, pasi nuk tregon asgjë. Kjo fitore nuk e mat forcën e vërtetë të skuadrës, e cila ka gabime të rënda, nuk ka qartësi në veprime dhe është totalisht e padisiplinuar taktikisht. Kushdo që e ka ndjekur ndeshjen ndaj Andorrës, duhet të ketë kuptuar se Shqipëria nuk shkëlqeu.
Ishte për t’u përshëndetur përkushtimi i djemve që e donin fort fitoren, por në aspektin profesional, Shqipëria bëri vetëm 4 gjuajtje në kuadrat dhe nëse Andorra mund të ishte treguar më konkrete në kundërsulmet e saj mund edhe të kishte befasuar. Panuçi është larguar vërtet, por skuadra mbetet po ajo. Është e gënjeshtërt të mendohet që Shqipëria ka cilësi të lartë, përkundrazi, me përjashtim të ca kokrrave, shumica e futbollistëve nuk kanë minutazh të plotë në skuadrat e tyre, nuk janë me peshë lideri dhe nuk bëjnë diferencë.
Përzgjedhja e listës nuk është bërë në përputhje me kriteret standarde sportive dhe kjo është mangësi përtej trajnerit, që vë në siklet vetë FSHF-në. Kjo skuadër fitoi me Andorrën, por askush nuk di të thotë nëse mund të marrë pikë me ndonjë ekip tjetër. Goli i Sadikut dhe i Balajt erdhën nga gafat e vendasve, ata nuk erdhën si pasojë e një qartësie dhe rrjedhshmërie në aksione dhe mund të pranohet teorikisht që gola të tillë nuk mund t’i shënohet Islandës, Turqisë apo Francës. Shqipërisë i duhet revolucion i thellë në skuadër.
Dhe kjo kërkon një strategji afatgjatë, prandaj ky ekip ka shumë pak shanse të shkojë në Evropian. Suksesi i fundit dhe fitorja në Andorra janë një arritje e momentit me ngjyra të rreme. Glorifikimi i kësaj fitoreje, sikurse ekstaza e festës në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes, nuk e ndihmon ekipin në objektivat e tij. Kushdo që merr vesh nga futbolli duhet ta ketë kuptuar që kjo skuadër nuk bind, kjo skuadër nuk është për Evropian, kjo skuadër kërkon një “gjeni” në krye të stolit që të sjellë në vete një grup që nuk lidhet në asnjë drejtim.