AlbanianSport.com 26/03/2019 17:05
ASNN – Një nga trajnerët e njohur të Kategorisë Superiore, me përvojë të gjatë dhe në drejtimin e shumë skuadrave në elitë dhe në Kategorinë e Parë, Agim Canaj, u prezantua këtë të martë në Shkodër si trajner i Vllaznisë. Lajmin e emërimit të tij e dha vetë klubi shkodran të hënën në mbrëmje, por sot u bë prezantimi, ku vetë Canaj e përshkroi marrjen e detyrës së tij me optimizëm dhe me nivel të lartë entuziazmi, ku nuk munguan as batutat ku ai e cilësoi Vllazninë një dashuri të vjetër të tij.
“Nuk i kam thënë asnjëherë jo Vllaznisë, sa herë ka pasur nevojë, – u shpreh Canaj. – Është një dëshirë për të punuar këtu, pasi ndjehem shumë mirë si trajner por edhe në marrëdhëniet me njerëzit. Pranova pa kushte propozimin e klubit. Kemi nevojë për punë, unë jam i gatshëm të jap të gjithë përvojën time, për të arritur objektivin dhe për t’u ngjitur në Superiore. Megjithatë, duhet pranuar se diçka e mirë është bërë deri tani dhe duhet të vijojmë në këtë ritëm.”
“Duhet shumë punë, për të ardhmen duhen vendosur disa piketa dhe në radhë të parë buxheti”, – shtoi ai. Ndeshja e radhës e Vllaznisë është një derbi, ai me Besëlidhjen e Lezhës, një takim që nga informacionet e fundit mësohet se do të luhet në mitikun “Loro Boriçi” në Shkodër. Një fitore do ta ndihmonte Vllazninë të siguronte thuajse matematikisht ngjitjen në Kategorinë Superiore, por Canaj ka kërkuar nga lojtarët që të vlerësojnë çdo ndeshje dhe të përkushtohen në objektivat madhore të ekipit.