AlbanianSport.com 26/03/2019 07:55
ASNN – 39-vjeçari është prezantuar të hënën në Durrës, zëvendëson 73-vjeçarin Miodrag Baletiç. Teuta e basketbollit të meshkujve ka ndërruar sërish trajner dhe, pas dy eksperimenteve me trajnerë të huaj, nga ish-republikat jugosllave, tanimë ka zgjedhur t’i besojë një trajneri shqiptar. Pasi e nisi sezonin aktual me trajnerin që i udhëhoqi sezonin e shkuar drejt finales së humbur për titull me Tiranën, serbo-boshnjakun Boban Niniç, skuadra durrsake ia besoi në dhjetor stolin veteranit malazez, Miodrag Baletiç.
Me të në stol, Teuta fitoi Kupën e Shqipërisë, por rezultatet e ndeshjeve të fundit, ku skuadra bregdetare ka vuajtur për të mposhtur Tiranën dhe më pas Partizanin në Durrës, por edhe me Vllazninë së fundmi në Shkodër, kanë bërë që drejtuesit e bregdetarëve të koshit të ndryshojnë sërish timonier. Dhe tanimë emri i stolit është “Made in Albania”, pasi drejtimin e skuadrës durrsake e ka marrë trajneri Afrim Bilali. Ish-basketbollisti i mirënjohur ka drejtuar më parë skuadrën e Ardhmëria Basket në nivelin e dytë të kampionatit para disa sezonesh.
Ndërsa më pas ka drejtuar përfaqësueset e moshave, duke vijuar të jetë edhe ndihmëstrajner i Kombëtares së të rriturve gjatë këtyre 3 edicioneve të fundit. Para 4 javësh, 39-vjeçari u emërua në postin e trajnerit të Kombëtares së të rriturve të koshit, detyrë të cilën ai do të vijojë ta mbajë paralelisht me atë të trajnerit të Teutës, duke rikthyer kështu në vëmendje rastin e trajnerit të mëparshëm të Kombëtares, Antonios Dukas, i cili ishte njëkohësisht edhe trajner i Tiranës. Bilali e merr Teutën në vendin e dytë të renditjes, dy pikë pas rivales bregdetare, Goga Basket, teksa sezoni i rregullt i afrohet fundit.