AlbanianSport.com 25/03/2019 19:55
ASNN – Shtangisti Erkand Qerimaj ka ndarë dje me miqtë e tij dhe admiruesit e shumtë, por edhe opinionin publik, gëzimin e medaljes së bronztë nga Botërori i vitit 2017 zhvilluar në Anheim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte vetë Federata Shqiptare e Peshëngritjes që organizoi një dalje për mediat, ku u prezantua medalja e bronztë në stilin e shkëputjes nga botërori amerikan.
Në atë veprimtari Qerimaj ngriti 155 kg, por u deshën të kalonin afro 15 muaj që ai të merrte medaljen, pasi shtangisti që doli i 3-ti, rezultoi me doping dhe rrjedhimisht shkodrani e meriton edhe zyrtarisht këtë medalje, që i shtohet edhe fizikisht si triumf jo vetëm peshëngritësit të shquar shqiptar, por edhe vetë federatës dhe peshëngritjes shqiptare në tërësi.
Entuziazmi kishte prekur jo vetëm shtangistin Qerimaj dhe trajnerin e tij Zef Kovaçi, por edhe kreun e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, i cili e përshkroi me ngjyra ndezëse këtë sukses dhe uroi që sportisti të ruajë nivel të lartë edhe për Evropianin e Gjeorgjisë që nis pas pak ditësh. Ardhja nga SHBA e medaljes së bronztë është një ogur i mirë që vjen pak para se të nisë zyrtarisht Evropiani.
Dhe ky moment historik për shtangën dhe njëherësh moment reflektimi madhor për objektivat e sportistëve që duan të kualifikohen në Olimpiadën e Tokios të vitit 2020, të shërbejë si motivim për rezultate të larta edhe në Kampionatin Evropian të Gjeorgjisë, i cili ka vlerë kualifikuese. Ata që mundësuan dorëzimin e medaljes ishin zyrtarë të Federatës Botërore të Peshëngritjes.
Medalja e bronztë ishte fituar nga shtangisti rumun Dimitru Kaptari, por ai rezultoi pozitiv në testet antidoping, madje doli pozitiv edhe në testin B që kishte kërkuar dhe për rrjedhojë është ndëshkuar dhe njëherësh lëshon medaljen e marrë, duke ia kaluar atë pasardhësit në garë, në këtë rast Erkand Qerimajt. Siç dihet, Qerimaj fitoi Kupën e Shqipërisë para pak javësh si sportisti më i mirë i saj.
Por edhe theu 5 rekorde kombëtare në peshën trupore deri në 81 kg. Po në këtë peshë ai do të garojë së bashku me Daniel Godellin në Evropianin e Gjeorgjisë (6-13 prill 2019). Në të shkuarën Qerimaj ka shkruar histori suksesi në shumë gara, sidomos në kategorinë e të rinjve, ku ai ka dy rekorde botërore, por Qerimaj ka edhe dy rekorde Evropiane dhe njëherësh dy rekorde Mesdhetare.
“Ndihem shumë krenar dhe i lumtur, – u shpreh Qerimaj pas marrjes së medaljes së bronztë, – pasi vendi i tretë në botë është një rezultat fantastik. Është për mua kënaqësi e madhe sepse është rezultati më i lartë në karrierë pas 45 medaljesh ndërkombëtare, por edhe për Shqipërinë, pasi ne jemi një vend i vogël dhe të radhitesh mes tre sportistëve më të mirë në botë është një sukses shumë i madh.”
“Është një gëzim shumë i madh sepse për mua u shpërblye mundi dhe djersa e shumë viteve dhe unë do ta konsideroja si kulmin e karrierës time”, – ka përfunduar peshëngritësi shqiptar.