AlbanianSport.com 25/03/2019 15:20
ASNN – Kukësi do të presë në fund të marsit Partizanin, në kuadër të javës së 26-të të Kategorisë Superiore. Do të jetë kryedueli i këtij kampionati, nisur nga rivaliteti që kanë për titullin, por njëherësh edhe për potencialin teknik që disponojnë të dy kampet. Natyrisht, Partizanit i intereson të mos humbasë në këtë ndeshje, domethënë do të gëzohet dhe me barazimin, sepse kështu ruan distancën prej 9 pikësh që ka aktualisht në renditje me verilindorët (53-44).
Kurse këtyre të fundit u intereson vetëm fitorja dhe trepikëshi është objektiv i vetëm. Në këtë ndeshje ndahen fatet e sezonit, sepse, nëse fiton Kukësi, atëherë diferenca ngushtohet në gjashtë pikë dhe rihapet tërësisht gara për trofeun, sepse midis dy skuadrave do të ketë dhe një duel përfundimtar në fazën e katërt e të fundit, por edhe duele direkte me skuadrat e tjera. Të dy ekipet po përgatiten me ritëm të lartë në programin e tyre stërvitor.
Ndërkohë, Kukësi ishte me fat në këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit, pasi po i rikuperohen forcat. Kanë qenë 4 lojtarë titullarë të Kukësit me probleme, përfshi dhe mbrojtësin dhe njëherësh kapitenin Ylli Shameti të dëmtuar, por kjo periudhë ndërprerjeje e garës po shfrytëzohet maksimalisht që këto dëmtime të harrohen dhe besohet se Kukësi do të jetë më i plotë se kurrë kundër Partizanit, për më tepër me ndryshime në staf.
Siç dihet, është larguar trajneri Armand Cungu dhe në vend të tij është “vullkani” Ramadan Ndreu. Nga ana tjetër, edhe të kuqtë kanë pasur lojtarë me shqetësime muskulare, por me përjashtim të Bruno Telushit që nuk ka siguri për rikthim të shpejtë, të tjerët kanë shenja rikuperimi të plotë dhe trajneri Skënder Gega do të ketë një skuadër të gatshme për duelin vendimtar të fundmarsit ndaj Kukësit. Mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë fusha.
Por e sigurt është se kjo ndeshje është vendimtare dhe trajnerët po përpiqen të vendosin forcën maksimale të potencialit të tyre në fushë, në mënyrë që të “vrasin” kampionatin.