AlbanianSport.com 25/03/2019 13:30
ASNN – UEFA ka përzgjedhur një metodë të re në seleksionimin e më të mirëve nga skuadrat përfaqësuese të anëtareve të saj, bazuar në paraqitjen e secilit futbollist gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve dhe në këto duele të para Eliminatore të Euro 2020-ës. Kemi të bëjmë me një mënyrë përzgjedhjeje të bazuar në pasimet, saktësinë e ndërhyrjeve, faulleve të përfituar në favor, përqindja e shpejtësisë në lojën e grupit, etj. Kjo është bërë për të gjitha përfaqësueset e anëtareve të UEFA-s.
Dhe për Shqipërinë ka rezultuar që lojtari më i vlefshëm është Taulant Xhaka. Janë disa tregues që e kanë vendosur Xhakën në nivel të lartë dhe mbi të tjerët. Ai ka realizuar 56 pasime të sakta vetëm në ndeshjen e fundit, atë ndaj Turqisë, kurse në total ka 315 pikë të grumbulluara, duke mbajtur vendin e 192-të në Evropë, një pozicionim i mirë krahasuar me disa ekipe kontinentale. Fill pas Xhakës, vendin e dytë e zë Berat Gjimshiti, i cili ka grumbulluar 258 pikë dhe mban vendin e 253-të në Evropë.
Kurse lojtari i 3-të nga përfaqësuesja kuqezi, shumë pranë me Gjimshitin, është një tjetër mbrojtës, Frederik Veseli, i cili pozicionohet i treti, me 248 pikë dhe renditet në vend të 273-të. Fill pas tyre renditen Strakosha, Ismajli dhe Berisha. Vetëm vendi i 8-të për Elseid Hysajn, i cili mban vendin e 557-të në Evropë, me vetëm 124 pasime, shumë pak për një lojtar që konsiderohet lider i grupit dhe kapiten i tij. Për më tepër Hysaj është dhe futbollisti më i shtrenjtë i përfaqësueses.
Nga kjo renditje e UEFA-s mund të kuptohet që skuadra jonë mund të bëjë kryesisht lojë mbrojtëse dhe për këtë janë dëshmi portierët dhe mbrojtësit në vend të parë, por prania e Xhakës mbi të tjerët dëshmon se kosovari është futbollist që luan me shpirt për grupin. Ai jep gjithmonë 100% të kapacitetit të tij për ngjyrat kuqezi.