AlbanianSport.com 24/03/2019 16:10
ASNN – Rosi “kërcënon” mekanikët: Ma bëni motorin më të shpejtë, ndryshe do na kalojë edhe “Suzuki”. Garat e motorëve janë spektakolare dhe tërheqin vëmendje të madhe. Në fakt, vëmendja shkon në Moto GP, ku Doviciozo fitoi duelin e parë me rivalët pas zhvillimit të garës së Katarit. Ndërsa kampioni në fuqi i botës, Mark Markez, u kënaq me vendin e dytë.
Çështja e renditjes nuk është zbardhur ende pas apelimit të atyre që nuk fituan vendin e parë, por ndërkohë skuadrat dhe pilotët po përgatiten për garën e radhës, për Çmimin e Madh të Argjentinës, një garë që do të zhvillohet më 31 mars 2019. Duke pasur parasysh problemet që shfaqi “Jamaha” në garën e parë, tashmë piloti veteran Valentino Rosi kërkon nga mekanikët e skuadrës së tij që të bëjnë ndryshim e nevojshme në motor.
Në mënyrë që ai të ketë mundësinë të garojë në nivele të konkurrueshme me “Dukati”-n dhe me “Honda”-n. “Doktori” thotë se në Katar pati fat që rikuperoi 9 vende, por sipas tij kjo ndodhi me fat dhe kështu nuk shkon gjithmonë. “Në Katar rrezikuam shumë, por na ndihmoi fati, – ka pohuar ai. – Por gjërat nuk mund të shkojnë gjithmonë mirë. Sepse, përvec “Hondës” dhe “Dukatit” tani rrezikon të na kalojë dhe “Suzuki”.”
“Kjo është një thirrje e fortë për mekanikët e skuadrës, të cilët duhet të zgjohen dhe të na përgatisin një motor më të mirë për garën e radhës. Ne na duhet një motor më i shpejtë, ndryshe nuk mund të konkurrojmë dot rivalët”, – përfundoi veterani i Moto Gp-së, Valentino Rosi.