AlbanianSport.com 23/03/2019 13:35
ASNN – Java e 16-të e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit të Meshkujve, nisi të premten me ndeshjen Farka Volej-Partizani, fituar nga djemtë e skuadrës së kuqe me rezultatin 3-0. Ishte një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund dhe një fitore e merituar për skuadrën e trajnerit Ylli Tomori, ndërkohë që Farka Volej, me këtë humbje mbetet jashtë zonës së 6-shes së parë, që siguron pjesëmarrjen në “play-off”.
Pra meritat i shkojnë Partizanin që e ka siguruar edhe matematikisht këtë objektiv dhe duke e siguruar këtë ia del të konkurrojë në vazhdimësi për titullin në volejbollin e meshkujve. Sa i përket lojës, Partizani fitoi setin e parë me shifrat 25-19, të dytin 25-14 dhe të tretin akoma më thellë me shifrat 25-9. Kaq mjaftoi që të sigurohet një 3-pikësh me vlerë për vazhdimësinë.
Kjo, pasi edicioni i volejbollit po shkon drejt fundit dhe klubet po përpiqen të gjejnë formën e duhur për duelet finale që janë përcaktuese për fatet e titullit “kampion”. Natyrisht, vendin e parë në kategorinë elitare të meshkujve vijon ta mbajë Erzeni i Shijakut, i cili ka 39 pikë, i pashqetësuar nga ndjekësit, që janë Vllaznia dhe Tirana me përkatësisht 33 dhe 31 pikë.
Ndërsa në vend të 4-t ndodhet Skënderbeu me 25 pikë. Më pas vijnë Partizani dhe Studenti me 22 dhe 21 pikë, skuadra që plotësojnë 6-shen e parë, pra grupin që do të vijojë të luajë në “play-off”. Duelet e tjera të javës së 16-të në kampionatin e volejbollit të meshkujve do të luhen të shtunën dhe konkretisht: Skënderbeu-Erzeni (15:00), Teuta-Vllaznia (16:00) si dhe Tirana-Elbasani (17:00). Kurse Studenti këtë javë e ka pushim.