AlbanianSport.com 23/03/2019 12:40
ASNN – Zyrtare: Shqipëria shkarkon Panuçin, Ervin Bulku dhe Sulejman Mema marrin drejtimin e kuqezinjve. Ajo që pritej të ndodhte mbrëmjen e së premtes pas përfundimit të ndeshjes Shqipëri-Turqi, fituar nga miqtë 2-0, ndodhi pikërisht paraditen e sotme. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ka ndërprerë kontratën me trajnerin Kristian Panuçi, për mungesë rezultatesh.
Po kështu, konfirmon edhe emërimin e përkohshëm të Ervin Bulkut në rolin e trajnerit, i cili do të ndihmohet nga trajneri me përvojë Sulejman Mema. Kjo lëvizje e përkohshme bëhet për duelin e radhës së kuqezinjve, atë ndaj Andorrës më 25 mars, ndërkohë që FSHF është vënë në lëvizje urgjente për të gjetur trajnerin e ri dhe me gjasë do të jetë sërish një italian, ish-trajneri i Napolit dhe Atalantës, Edi Reja.
“Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Kristian Panuçi, – shkruan njoftimi i shkurtër i organizmit që qeveris futbolli shqiptar, i botuar në faqen e saj zyrtare në internet. – E falënderojmë trajnerin Panuçi për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës.”
“Ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në fushën e kësaj të fundit, do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual”, – vijon FSHF në njoftimin e saj për mediat. Natyrisht, shkarkimi i Panuçit pas disfatës kundër Turqisë u bë i pashmangshëm, ndërkohë që paralajmërimi ishte dhënë, sepse trajneri kishte krijuar në ekip një klimë mosbesimi.