AlbanianSport.com 22/03/2019 21:50
ASNN- Erdal Borova: “Jemi për titull, na e garantojnë lojtaret e huaja”. Trajneri i Shoaqatës së Klubit të Basketbollit të Tiranës, Erdal Borova, u shpreh pas ndeshjes ndaj Studentit se skuadra e tij tani po mendonte për titullin “kampion” dhe se lojtaret e huaja që kanë ardhur në gjirin e skuadrës së tij e mundësonin fitimin e trofeut më të rëndësishëm sezonal në basketbollin e femrave.
Pas suksesit ndaj Studentit, të cilin skuadra e tij e mundi me shifrat e thella 94-52, Borova u shpreh për mediat sportive se me lojtaret e huaja të ardhura në merkaton e dimrit ekipi tani është i kompletuar dhe jep siguri për përmbushjen me sukses të objektivave. “Skuadra jonë u përforcua pas ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë me 3 lojtare të huaja që kanë cilësi të lartë”, – u shpreh ndër të tjera Borova.
“Dhe ajo që më gëzon shumë është përshtatja e tyre mjaft e mirë me grupin tjetër dhe kjo ka ndodhur në një kohë rekord, – vijoi trajneri bardheblu në qëndrimin e tij. – Kjo diferencë që krijojnë tri lojtaret e huaja u pa që në javën e kaluar, kur ne mundëm pa probleme dhe lehtësisht Tiranën tjetër, në një ndeshje ku fitorja jonë erdhi me 20 pikë diferencë.”
“U pa mjaft qartë që skuadra është e “blinduar” në çdo repart dhe ka kualitet për çdo rol në parket, – ka theksuar Borova. – Pikërisht pozicionet i kemi të dubluara dhe mund të them se jemi të kompletuar në çdo repart. Me këto lojtare që na kanë ardhur mund të them me siguri se po shkojmë drejt fitimit të titullit, por kjo s’do të thotë se do t’iu neglizhojmë ndeshjet e mbetura.”
“Dihet që më e rëndësishmja është faza “play-off”, ku na duhet të jemi të përkushtuar në maksimum që të arrijmë objektivin tonë.”