AlbanianSport.com 22/03/2019 19:05
ASNN – Skuadra e Shoqatës së Klubit të Basketbollit Femra të Tiranës, mposhti të enjten Studentin me rezultatin e thellë 94-52. Ky takim u zhvillua në kuadër të javës së 17-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave. Ishte një ndeshje e dominuar nga fillimi e deri në fund prej Tiranës së trajnerit Erdal Borova, e cila merr jo vetëm një dypikësh të radhës për kryesimin.
Por tani është shkëputur 4 pikë nga ndjekësi më i afërt që është rivalja tjetër vardheblu, Shoqata e Basketbollit të Femrave të Tiranës së trajneres Mirza Alibegaj. Sa i takon ndeshjes, ekipi i Borovës fitoi dy 10-minutëshat e parë me rezultatin 22-8 dhe 22-13, duke bërë që të fitojë gjysmën e parë të ndeshjes me shifrat 44-21. Në 10-minutëshin e tretë Tirana e Borovës regjistroi një tjetër diferencë të thellë me kundërshtarin, duke fituar me shifrat 31-11.
Dhe duke fiksuar rezultatin në fund të kësaj pjese 75-32, pra dyfishin e pikëve. Duke parë këtë epërsi, në 10-minutëshin e fundit Tirana angazhoi vajzat e stolit dhe elementet e reja, duke u dhënë mundësinë vajzave të Studentit, gjithashtu, të përpiqeshin të shënonin më shumë pikë. Ky 10-minutësh mbyllet me shifrat 19-20 në favor të Studentit.
Por krejt ndeshjen e fiton SHKBF Tirana me rezultatin 94-52. Me këtë fitore ekipi i Borovës shkon në kuotën e 32 pikëve dhe pret i qetë duelin direkt të SHBF Tiranës në Vlorë përballë Flamurtarit. Ndërkohë, Studenti, pas kësaj humbjeje, mbetet në vend të parafundit me 20 pikë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit Femra
Kategoria e Parë
Të enjten, 21 mars 2019:
SHKBF Tirana – Studenti 94-52
(22-8, 22-13, 31-11, 19-20)
Të shtunën, 23 mars 2019:
Flamurtari – SHBF Tirana (11:00)
Vllaznia – Elbasani (16:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- SHKBF Tirana 17 15 2 32
- SHBF Tirana 16 12 4 28
- Flamurtari 16 11 5 27
- Vllaznia 16 8 8 24
- Studenti 17 3 14 20
- Elbasani 16 0 16 16