AlbanianSport.com 17/03/2019 22:20
ASNN – Strakosha ngec në trafik dhe humb avionin, Panuci e përjashton nga Kombëtarja për dy ndeshjet e radhës. Gazetat e shkruara sportive insistojnë se trajneri Kristian Panuçi e ka përjashtuar portierin Thomas Strakosha nga Kombëtarja, pasi gardiani shqiptar i Lacios nuk ka mundur të kapë linjën ajrore Romë-Tiranë në orën përkatëse. Mësohet se Strakosha ka ngecur në trafik në rrugën që të çon nga kryeqyteti italian për në aeroport dhe për pasojë nuk e ka kapur në kohë avionin.
Ai e ka telefonuar menjëherë trajnerin Panuçi, duke i sqaruar situatën, por sjellja e trajnerit ka qenë ekstreme, duke i kujtuar që nëse nuk është në grumbullim në orën 19:00 më mirë të mos vinte fare dhe për pasojë Strakosha mbetet jashtë për ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën. Ndoshta lojtari mund të mbërrijë sot paradite në Durrës, me idenë që trajneri ta falë dhe t’i bashkohet grupit, por vështirë se tekniku do të ndryshojë mendje.
Një precedent ekziston, pasi kështu ia preu rrugën edhe sulmuesit Sokol Cikalleshi një vit më parë, duke mos e pranuar në grumbullim dhe duke mos e miratuar justifikimin e futbollistit. Që Kristian Panuçi është i prapë në këtë drejtim kjo dihet, por a vlen kjo rreptësi edhe për vetë Panuçin, sidomos kur ai nuk realizon objektivat dhe duhet të hapë krahun? Kjo nuk ndodhi pas mbylljes së Ligës së Kombeve, kurse në eliminatoret e Evropianit duhet parë se si do të ecë me skuadrën kuqezi.