AlbanianSport.com 17/03/2019 16:50
ASNN – Shkëndija e Tetovës nuk është e vetmja gjë e bukur shqiptare në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Ajo do të tentojë këtë sezon të fitojë titullin e dytë me radhë në kampionatin e këtij vendi, ndërkohë që një tjetër zhvillim i bujshëm po ndodh në futbollin maqedonas. Bëhet fjalë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Federatës. Dhe kreu i ri i futbollit në këtë vend do të jetë këtë mandat një shqiptar.
Kjo është diçka historike për futbollin shqiptar në Maqedoni. Bëhet fjalë për Muhamed Sejdinin, i cili ia ka dalë të fitojë në zgjedhjet për president të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Në fakt, ai ishte kandidat i vetëm në këto zgjedhje. Vinte si zëvendëspresident i federatës, pas ishte më parë zëvendës i ish-presidentit Ilco Gjeorgjioski, të cilit i mbaroi mandati 5-vjeçar.
Të drejtën e votës e kishin 96 anëtarë, por në zgjedhje morën pjesë vetëm 90 anëtarë me të drejtë vote. Prej tyre, 8 delegatë votuan kundër zgjedhjes së Sejdinit. Por edhe pse 8 prej kandidatëve votuan kundër, Sejdini nuk e diskutoi fitoren, duke siguruar një përqindje të lartë besimi nga anëtarët e tjerë dhe rrjedhimisht merr mandatin si president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Për shqiptarët në vendin fqinj kjo është historike dhe për futbollin shqiptar në Maqedoninë e Veriut është tashmë një moment krenarie.