AlbanianSport.com 16/03/2019 19:40
ASNN – Skënderbeu ringjalli shpresat e një pozicionimi në një nga 3 vendet e para në kampionat, pozicione që mundësojnë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, gjithmonë nëse ndodh mrekullia që pëshpëritet që Këshilli i Arbitrazhit Sportiv të Lozanës vendos në favor të klubit korçar. Të shtunën, Skënderbeu mundi me rezultatin e ngushtë 1-0 Kukësin, në një duel që u luajt në stadiumin e Korçës dhe fatet e të cilit u vendosën nga një gol i Bruno Ditës që në minutat e para të takimit.
Ishte një aksion i gjatë i skuadrës së Skënderbeut nga e djathta e sulmit, topi në zonë përpiqet të largohet nga mbrojtësit por përfundon tek njëri prej lojtarëve korçarë që lëshon një “predhë” dhe sfera pasi përplaset në shtyllën e majtë pingule të portës së verilindorëve, përshkon gjithë pasqyrën e zonës dhe atje gjendet Bruno Dita, i cili, i harruar nga mbrojtësit e Kukësit, ndodhet në vendin dhe kohën e duhur për të shtyrë topin në rrjetë.
Edhe pse Kukësi e dominoi ndeshjen në tërësi dhe krijoi mjaft raste për shënim, nuk ia doli të barazojë. Trajneri Armand Cungu vuri në funksion të sulmit të gjithë arsenalin e skuadrës së tij dhe pati kohë të mjaftueshme për të bërë diferencën, por, sidoqoftë, nuk ia doli. Si përfundim, Skënderbeu fitoi 1-0 dhe mori 3 pikë që e ngjisin në vend të 4-t, tashmë vetëm 3 pikë larg Teutës së vendit të 3-të dhe 7 pikë më pak se Kukësi i vendit të dytë.
Vetë Kukësi ka 44 pikë, ndërkohë që rivali kryesor për titull, Partizani, në vend të parë, ka 50 pikë dhe nëse ia del të fitojë duelin e së dielës me Teutën mund të “vrasë” kampionatin, pasi diferenca do të shkonte në 9 pikë. Natyrisht, akoma më vendimtare do të jetë dueli i javës së ardhshme, ku Kukësi pret Partizanin dhe mund të llogaritet edhe si dueli përcaktues për fatet e këtij sezoni.