AlbanianSport.com 15/03/2019 18:10
ASNN – Turqia ka publikuar listën e lojtarëve që do të përballen me Shqipërinë më 22 mars. Bëhet fjalë për një listë me lojtarët më të spikatur, ku nuk mungojnë surprizat nga trajneri Shenoll Gynesh. Në këtë listë bie në sy mungesa kryesore, ajo e sulmuesit të Romës, Xhengiz Ynder, mungesa e të cilit lidhet me një dëmtim që ka pësuar dhe nuk është rikuperuar në kohë.
Për Shqipërinë ky është padyshim një lajm shumë i mirë, sepse Turqia vjen në Stadiumin “Loro Boriçi” pa yllin e saj. Ndërkohë, një tjetër surprizë e listës së lojtarëve të Shenoll Gynesh është ftesa për veteranin 38-vjeçar Emre Belezollu, prania e të cilit ka ngjallur dyshime të forta. Nuk mungojnë në listë yjet e përfaqësueses turke, të tillë si Xhenk Tosuni i Evertonit, Burak Jëllmazi i Beshiktashit, apo dhe Çalhanolluja i Milanit.
Janë emra të spikatur që vijnë në Shkodër me synimin për të marrë 3 pikë. Ndryshe nga Panuçi që ka grumbulluar 24 lojtarë, trajneri i kombëtares turke ka grumbulluar 28 futbollistë dhe duket qartë se ai është i vendosur për të marrë maksimumin nga dy duelet e radhës ku ai me Shqipërinë më 22 mars është kryesori dhe më i vështiri në këtë periudhë.