AlbanianSport.com 15/03/2019 17:15
ASNN – Humbja në Kupën e Shqipërisë përballë Tiranës, një disfatë e thellë 3-0 që nuk jep shpresë për kualifikim, detyroi stafin drejtues të Laçit të ndryshojë trajner. Dhe klubi ka vendosur të largojë Besnik Prengën, i cili vetë e kishte paralajmëruar largimin duke thënë se duhej një ndryshim, për të sjellë në krye të kurbinasve një trajner me përvojë si Sulejman Starova.
63-vjeçari kryeqytetas merr skuadrën në një moment të vështirë, por ka një epërsi, që ka të bëjë me forcën e grupit që ka skuadra laçiane, e cila shquhet për nivelin e qëndrueshëm dhe natyrisht shfrytëzimin e faktorit fushë për të arritur në maksimumin e vet. “Kthehem pas një viti në Superiore, – u shpreh që në fillim Starova, – dhe në radhë të parë falënderoj presidentin që më bëri ofertën.”
“Kjo tregon se ai ka besim te unë dhe jam i obliguar të punoj me përkushtim dhe të bëj maksimumin bashkë me skuadrën, për të realizuar objektivat e klubit”, – ka theksuar ai. Pranohet që ekipi kurbinas po kalon një ngërç, të cilin Starova dëshiron ta eliminojë dhe ta kthejë Laçin në normalitet, duke shfrytëzuar armët e tij më të forta që janë grupi, qëndrueshmëria dhe përvoja.
“Në gjysmën e kampionatit, është dalluar në fazën mbrojtëse, më mirë se ekipet e tjera, – ka veçuar ish-trajneri i Tiranës dhe Partizanit. – Kjo anë është lëkundur disi, por shpresojmë të rikthehemi sërish në atë nivel, duke kaluar nga ndeshja në ndeshje.” Ndeshjen e parë në stolin e Laçit, “Bobi” do ta ketë ndaj Flamurtarit, një duel të cilin ai dëshiron ta fitojë dhe ta nisë me fitore aventurën e tij në krye të ekipit kurbinas.
“Kemi një ndeshje me Flamurtarin në shtëpi dhe përgjigjen duhet që skuadra ta japë menjëherë në fushë, duke dhënë maksimumin, – ka thënë ai. – Për rezultatin, do të mendojmë ne si staf teknik. Një rezultat pozitiv do të jetë një motiv më tepër për të punuar më i qetë në vijim. Superliga është shumë e fortë dhe mes skuadrave ka një diferencë shumë të vogël, ndaj çdo ndeshje është e luftuar dhe konkurruese, ndaj rezultatin e di Zoti, jo ne.”