AlbanianSport.com 15/03/2019 08:50
ASNN – Të enjten në mbrëmje u luajtën ndeshjet e kthimit të 16-shes së Ligës së Evropës në futboll, ku në tërësi u kualifikuan skuadrat e mëdha. Përjashtim bëri vetëm Interi, i cili u mund në “San Siro” nga Eintrahti i Frankfurtit me rezultatin 0-1 dhe e mbyll këtu aventurën e tij në këtë veprimtari, duke zhgënjyer tërësisht. Edhe pse cilësohej skuadër favorite për trofeun, nisur nga statura e madhe dhe lojtarët cilësorë, Interi shfaqi probleme dhe nuk la aspak gjurmë pozitive.
Ndeshja e parë e luajtur në Gjermani ishte mbyllur 0-0. Ndërsa mbrëmë vendosi një gol i Joviçit që në fillimin e ndeshjes, ndërsa Interi pa me sytë e tij turpërimin në fund të takimit, duke dëshmuar se po mbyll një sezon skandal në të gjitha drejtimet. Edhe Napoli vuajti shumë mbrëmjen e sotme, ku u mund nga Salcburgu me rezultatin 3-1. Në fakt, ekipin napolitan e nderoi një gol i shënuar që në minutat e para nga Milik, që ia bëri të pamundur ekipit austriak përmbysjen.
Napoli I Elseid Hysajt nuk la gjurmë kushedi në këtë ndeshje, pasi humbja ishte e rëndë, por Napolin e trajnerit Ançeloti e nderoi fitorja e ndeshjes së parë me shifrat 3-0. Me pak fjalë në çerekfinale kaloi Napoli. Në këtë ndeshje luajti titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes Elseid Hysaj. Një fitore të madhe arriti edhe Arsenali, i cili mposhti Renenë në Londër me rezultatin 3-0. Dy nga golat i shënoi Pjer Emerik Obumejang, duke bërë që Arsenali ta përmbysë skuadrën franceze që kishte fituar duelin e parë midis tyre me rezultatin 3-1.
Një fitore spektakolare arriti edhe Çellsi, i cili mposhti me rezultatin e thellë 5-0 Dinamon e Kievit. Ukrainasit nuk shënuan asnjë gol në të dy përballjet dhe pësuan në total 8 gola, duke mos ia dalë të përballen me rivalitet ndaj njërës prej skuadrave pretendente, pasi dihet që blutë e Londrës janë skuadër favorite për të fituar këtë veprimtari. Ndeshja më e bukur mund të cilësohet ajo e luajtur në Rusi mes Krasnodarit dhe Valencias. Spanjollët kishin fituar duelin e parë 2-1, por hasën në vështirësi në këtë duel të kthimit.
Rusët shënuan një gol në minutën e 85-të dhe me këtë gol ishin të kualifikuar në turin tjetër, por spanjollët i shpëtoi fati sepse shënuan një gol në minutën e 3-të shtesë, duke bërë që të kalojnë në çerekfinale. Vijareali nuk vuajti aspak ndaj Zenit të Shën Pjeterburgut, duke fituar 2-1, ndërkohë që kishte fituar edhe në takimin e parë me shifrat 3-1, pra kualifikimi jo vetëm i merituar, por edhe një formalitet. Së fundmi, dy nga duelet e së enjtes shkuan në shtesë, por asnjëra nuk shkoi me 11-metërsha.
Kështu, Sllavia e Pragës bëri surprizën e madhe të kësaj mbrëmjeje, pasi eliminoi Seviljen, njërën prej skuadrave që e ka fituar më shumë Ligën e Evropës gjatë viteve të fundit. Koha e rregullt mbaroi 2-2, po aq sa rezultati i ndehsjes së parë të luajtur në Spanjë. U luajt koha shtesë 30-minutëshe. Në fillim shënuan spanjollët, por brenda pak minutash barazoi Slavia e Pragës. Në minutat e fundit të ndeshjes, çekët shënuan edhe golin e katërt dhe fituan takimin 4-3, duke kaluar në crekfinale.
Ndërsa Sevilja kthehet në shtëpi duarbosh dhe e eliminuar. Dueli tjetër spektakolar i mbrëmjes ishte ai mes Benfikës dhe Dinamos së Zagrebit. Ndeshja e parë në kryeqytetin kroat ishte fituar 1-0 nga kroatët, por në duelin e së enjtes, Benfika fitoi po 1-0 dhe ndeshja shkoi në shtesë. Në kohën shtesë 30 minutëshe skuadra portugeze realizoi dy gola, duke e çuar rezultatin në 3-0 dhe duke shkuar në çerekfinale, ndërsa kroatët kthehen në shtëpi, por dukshëm krenarë që arritën deri këtu.
Liga e Evropës
Ndeshjet e kthimit të turit të 16-shes
(Në kllapa është shënuar
rezultati i ndeshjeve të para)
Dinamo Kiev – Çellsi 0-5 (0-3)
Salcburg – Napoli 3-1 (0-3)
Arsenal – Renë 3-0 (1-3)
Krasnodar – Valencia 1-1 (1-2)
Benfika – Dinamo Zagreb 3-0 (0-1)
Sllavia Pragë – Sevilja 4-3 (2-2)
Inter – Eintraht Frankfurt 0-1 (0-0)
Vijareal – Zenit Shën Pjetërburg 2-1 (3-1)
Skuadrat çerekfinaliste:
Çellsi
Napoli
Arsenali
Valencia
Benfika
Sllavia Pragë
Eintraht Frankfurt
Vijareal