AlbanianSport.com 14/03/2019 20:15
ASNN – “Ferrari” i karikuar për ta nisur mbarë edicionin, synonet fitimi i garës në Australi. Këtë fundjavë do të ngrejë siparin edicioni i ri në Formula 1, ku pritet një rivalitet i spikatur midis skuadrave dhe makinave, por edhe pilotëve, një spektakël që është i garantuar nga fillimi e deri në fund. Në kuadër të edicionit të ri, “Ferrari” pret dominim dhe është karikuar në maksimum për të marrë më të mirën në Çmimin e Madh të Australisë.
Dy pilotët, Sebastian Vetel dhe Çarls Leklerk janë gati dhe të gjithë në kampin e skuadrës italiane presin fitore. Në kuadër të kësaj gare, e cila do të zhvillohet ditën e dielë, ka folur edhe piloti kryesor i “Ferrarit”, gjermani Sebastian Fetel, i cili thotë se makina është e mirë, e shpejtë dhe me ambicie, duke shpresuar që të fitojë ai garën hapëse të sezonit të ri në Formula 1. “Australia na rikthen kujtimet e bukura, sepse në këtë garë ne (“Ferrari”) bëjmë më të mirën”, – ka deklaruar ai.
“Është një pistë e favorshme për ne dhe shpresoj të përsërisim suksesin e dy vjetëve të fundit, – ka vijuar gjermani. – Nisja e sezonit me fitore të jep stimul për vazhdimësinë e garës dhe “Ferrari” do të tentojë ta fitojë këtë garë. Të gjitha garat janë të rëndësishme dhe unë shpresoj që ta nisim me fitore e të jemi pikërisht ne që do ta fitojmë këtë kampionat”, – u shpreh Sebastian Vetel. Ndërkohë, piloti tjetër i “Ferrarit”, Sharl Leklërk, është shprehur se ndihet i gatshëm për të dhënë më të mirën e tij.
Francezi ka deklaruar se shpreson fort që makina t’i bindet dhe “Ferrari” ta nisë me fitore këtë sezon në kampionatin elitar të garave me makina. “Po pres me padurim startin e kampionatit. Testet kanë qenë të mira dhe unë jam i kënaqur. Megjithatë, nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi gara ka të papriturat e saj. Sidoqoftë, ne jemi optimistë”, – ka përfunduar piloti francez i skuadrës italiane, Leklërk.