AlbanianSport.com 29.11.2014 12:25
ASNN – Në 7 javë kampionat, vendësit kanë marrë 4 barazime dhe 3 humbje. Kavajasit janë me mungesa në formacion, por motivimi te verdhezinjtë është i lartë. Besës i është sosur durimin, ndërsa sot, në përballjen ndaj Adës në Kavajë, kërkon me çdo kusht fitoren. Në shtatë javë kampionati kavajasit kanë marrë katër barazime (1-1 me Tërbunin, Mamurrasin, Kamzën, Kastrioti), por dhe tre humbje (1-2 me Besëlidhjen dhe Burrelin, si dhe 1-3 me Ilirinë e Fushë-Krujës).
Parë kështu dhe duke e llogaritur veten si një skuadër e traditës që duhet të jetë në elitën e futbollit shqiptar, atëherë kavajasit nuk kanë rrugë tjetër. Kanë ndërruar trajnerin, teksa në vend të Artan Mërgjyshit ka ardhur Bledar Sinella, i cili nuk e ka nisur mbarë punën e tij në krye të pankinës kavajase, pasi verdhezinjtë janë mundur në Burrel. “Ndaj, – thonë kavajasit, – në këtë ndeshje nuk ka rrugë tjetër, por duhet marrë fitorja, e cila ka dhe vlera morale e psikologjike për lojtarët.”
“Grupi është optimist se më në fund do të vijë fitorja, ndonëse nuk e nënvlerësojmë Adën, – vijojnë verdhezinjtë. – Kundërshtar i vështirë dhe që duhet respektuar, pavarësisht se është në gjendje të vështirë në renditje”. Ndërkohë kavajasit do të kenë mungesa, ndërsa si pasojë e dëmtimit në ndeshjen me Burrelin, atje ku jo pak kavajasit kanë akuzuar lojën e rëndë të matjanëve, nuk do të jetë në fushë Alajdin Sallaku. Por do të jetë i skualifikuar një nga golashënuesit e kavajasve, Alked Çelhaka.
Dhe një formacion i mundshëm i Besës sot në përballjen me Adën do të jetë: Laço, Perja, Balaj, Pelinku, Manuka, Lushkja, Muçaj, Mezini, Çaushaj, Kuli, Krasniqi. Pritet që kavajasit të kenë dhe mbështetjen e tifozëve të tyre, sepse vetëm kështu mund të arrijnë fitoren e tyre të parë në kampionat ndaj Adës së Velipojës.