AlbanianSport.com 12/03/2019 22:55
ASNN – Juventusi bëri një ndeshje të madhe mbrëmjen e të martës në Ligën e Kampioneve, duke mposhtur Atletikon e Madridit me rezultatin 3-0 dhe duke mundësuar kalimin në çerekfinalen e këtij aktiviteti. “Zonja e Vjetër” italiane kishte humbur ndeshjen e parë të luajtur në Madrid me rezultatin 2-0 dhe kualifikimi ishte vënë në dyshim, për të mos thënë se analistët më në zë nuk i jepnin shumë shpresa Juves.
Por me një superhero në fushë si Kristiano Ronaldo, Juventusi arriti të shënojë 3 gola dhe të mundësojë përmbysjen e madhe, duke kaluar në turin tjetër. Sa i takon ndeshjes ajo nuk pati kurrfarë shkëlqimi për Atletikon, e cila kishte ardhur në Torino me idenë fikse që të mbrohej dhe të tendoste nervat e kundërshtarit, por këtë herë nuk i eci plani trajnerit Diego Simeone.
Dhe gjithë ajo ironi me foto të denja prej rrugaçi (ku u tregonte juventinëve organet gjenitale), iu kthye kundër këtë herë, sepse gjigandja italiane e administroi ndeshjen në mënyrë të përsosur dhe me meritë e fitoi atë. Në pjesën e parë u anulua një gol i Bonuçit pasi Ronaldo u pa që shkaktoi faull, por vetë portugezi do të përmirësonte saktësinë e goditjes në minutën e 27-të.
Duke kërcyer mbi të tjerët dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë, duke zhbllokuar shifrat dhe duke i dhënë entuziazëm ekipit dhe stadiumit, pra duke i bërë të gjithë të shpresojnë. Në pjesën e dytë ishte sërish Ronaldo që realizoi në minutën e 48-të, thuajse me të njëjtën skemë si në golin e parë, ku pas krosimit të Kancelos nga e djathta ngrihet lart në qendër të zonës dhe me kokë godet bukur.
Duke bërë që topi të kalonte vijën fatale, megjithëse portieri Oblak e largoi atë. Teknologjia e vijës së portës kishte sinjalizuar për gol dhe Juventusi shkon në 2-0. Gjithçka në baraspeshë me duelin e parë, teksa duhej dhe një gol i tretë për kualifikimin. Dhe këtë herë do të mendonte Bernardeski, që ndërmerr një galopim prej 40 metrash, futet në zonë dhe aty shtyhet nga një kundërshtar (Himenez), duke bërë që të fitojë penallti.
Nga pika e bardhë gjuan “specialisti” Ronaldo, i cili “vrau” ndeshjen,. Domethënë i dha kualifikimin Juventusit dhe ktheu në shtëpi Atletikon. Me kalimin e një kundërshtari të tillë, Juventus ka tani shanse reale për të fituar Ligën e Kampioneve, sepse ka kualitet dhe disa rivalë të fortë janë eliminuar tashmë sikurse ka ndodhur me Realin e Madridit dhe Paris SG-së.