AlbanianSport.com 12/03/2019 22:00
ASNN – Kampionati Amerikan i Basketbollit (NBA) po shkon drejt fundit të sezonit dhe tensioni tek lojtarët dhe skuadrat ka kapur maksimumin. Realizimi i objektivave kërkon përqendrim maksimal dhe përkushtim mbi kapacitetin normal dhe kur gjërat nuk shkojnë në nivelin e kërkuar shpërthen tensioni dhe këputen “nervat”. Kështu ndodhi dhe këtë javë në nivelin më të lartë të koshit amerikan, në duelin midis skuadrave të Toronto Reptërs dhe Klivlend Kavalirs.
Basketbollisti Serxhi Ibaka, i Toronto Reptërs, dhe Markiz Kris, i Klivlend Kavalirs, u përleshën keqas në përballjen mes dy skuadrave, duke dhuruar një shfaqje tensioni të nivelit më të lartë, me kacafytje dhe grushte që detyroi gjyqtarinë t’i nxirrte nga loja. Dhe të dy lojtarët u përjashtuan nga loja në pjesën e tretë. Por, si ndodhi që nisi përleshja? Nga ritransmetimi i pamjeve shihej që dueli midis tyre në parket ishte i fortë dhe në një moment Ibaka rrëzohet në parket.
Pranë tij afrohet Kris që i thotë diçka. Kjo “diçka” nervozoi së tepërmi Ibakën që ngrihet fluturimthi dhe e kap për fyti kundërshtarin, teksa tenton ta qëllojë me grushte. U përdorën grushtet prej të dyve, por menjëherë gjyqtari nxori nga loja Ibakën, e më pas edhe Kris. Të dy basketbollistët mund të marrin penalitet të rëndë për sjellje dhe “spektaklin” negativ që dhuruan. Kjo ndeshje ishte shumë e forte, por në fund e fitoi Klevlend Kavaliers me rezultatin 126-101.
Duhet thënë se në Konferencën e Lindjes ku bëjnë pjesë këto dy skuadra, Toronto shquhet si një nga ekipet pretendente.