AlbanianSport.com 11/03/2019 23:55
ASNN – Reali i Madridit bëri mbrëmjen e sotme ndryshimin e madh në stol. Santiago Solari u shkarkua dhe iu ofrua një punë tjetër në klub (trajneri tek ekipi i të rinjve, atje ku ishte dhe më parë), ndërsa vendin e tij e zuri Zinedin Zidani. Një ditë më parë të gjitha mediat në Spanjë, Francë dhe Itali e lidhnin “Zizunë” me Juventusin, madje flitej për një akord, por në orët e fundit u pa krejt papritur në Madrid dhe në orën 20:00 të mbrëmjes u prezantua tek klubi kryeqytetas, duke njoftuar nisjen e epokës “Zizu 2”.
“Jam këtu, sepse e dua këtë klub, ashtu si shumë të tjerë, – theksoi në prezantimin e tij Zidane, i rikthyeri i madh në krye të Realit të Madridit. – Sapo më ka telefonuar presidenti Perez, i vetmi mendim ka qenë të rikthehem, pasi nuk mund t’i thoja “Jo” atij. Ndjesitë janë pozitive dhe tani duhet të filloj të punoj. Fillimisht synojmë të mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin aktual dhe më pas do të përgatitim skuadrën për vitin e ardhshëm.”
Presidenti i Realit, Florentino Perez, shprehur mirënjohje për francezin që pranoi të kthehej në Madrid, duke e falënderuar që pranoi të marrë drejtimin e “galaktikëve” në një moment mjaft të vështirë, në fundin e një sezoni të dështuar, ku ka mbetur jashtë Ligës së Kampioneve, jashtë Kupës së Mbretit e me të gjitha gjasat edhe jashtë titullit në La Liga spanjolle. Sa i përket kontratës, mediat spanjolle kanë dhënë detaje nga kontrata e re e Zidanit me Realin.
Një kontratë që do të zgjasë deri në verën e vitit 2022, ndërsa francezi ka marrë premtimin për një merkato ëndrrash në verë. Mbetet të shihet se si do të funksionojë Reali nën epokën e dytë të Zizusë, por kthimi i papritur i francezit ka ngjallur hipoteza të tjera, ku njëra thotë se në verë do të rikthehet në Madrid edhe Kristiano Ronaldo. E sigurt është se Gareth Bejl do të largohet, sepse ai nuk është më në planet e askujt në Madrid.