AlbanianSport.com 11/03/2019 21:10
ASNN – Panuçi ndryshon “mendje”: Roma asnjëherë nuk më kontaktoi, tek Shqipëria ndihem “pasha”. Trajneri i Kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi, , duke folur për gazetën e mirënjohur sportive italiane “Gazzetta dello Sport”, ka bërë të qartë për lexuesit italianë se Roma nuk e kishte kontaktuar asnjëherë, edhe pse emri i tij lakohej në media si kandidaturë serioze për të marrë drejtimin e verdhekuqve të kryeqytetit italian. Panuçi u bëri të qartë lexuesve nëpërmjet gazetës në fjalë se ndihej mirë tek Shqipëria.
Dhe ishte i përqendruar për të marrë maksimumin me kuqezinjtë ne eliminatoret e Euro 2020-ës. “Nuk jam kontaktuar nga Roma, – u shpreh Panuçi për “Gazzetta dello Sport”, – por zgjedhja e Ranierit ishte i duhuri. E njeh mirë mjedisin, pasi është roman, mund të jetë një doktor i mirë, ka një eksperiencë të madhe. Nuk do të jetë e lehtë, por Roma i ka kualitetet, me sforco, për të dalë e katërta në renditje në fund të sezonit. Roma për mua është një nga vendet më të bukura dhe kam mbetur shumë i lidhur me qytetin.”
“Është një nga vendet më të bukura për të luajtur futboll, ka dashuri dhe pasion, – vijoi më tej trajneri Kristian Panuçi. – Kur gjërat shkojnë keq, duhet të gjesh forcën dhe karakterin për të reaguar. Kam luajtur në Madrid, Londër, por emocionet e Romës nuk i kam gjetur. Emocionet e Romës janë unike.” Më tej, trajneri foli për përfaqësuesen e Shqipërisë, me të cilën ka një kontratë deri në fund të këtij viti, por Panuçi nuk i kurset elozhetë për federatën që sipas tij është treguar profesioniste.
“Jam shumë i lumtur te Shqipëria, – theksoi për gazetën e madhe italiane trajneri Kristian Panuçi, – kam një kontratë deri në nëntor, me një federatë shumë serioze, por pastaj nuk i dihet. Është një punë që më pëlqen shumë, dhe tani jam shumë i përqendruar te Eliminatoret e Evropianit, të tjerat nuk kanë rëndësi.”