AlbanianSport.com 10/03/2019 17:30
ASNN – Ballshiotët mjaftohen me dy gola në pjesën e parë përballë një formacioni eksperimental të vlonjatëve. Flamurtari është mundur përballë Bylisit me rezultatin 0-2 në takimin miqësor të luajtur në Stadiumin “Flamurtari” të qytetit të Vlorës. Një takim miqësor që u ka shërbyer të dyja skuadrave, pas ndërprerjes se kampionatit, ndërsa kane qenë ballshiotët pretendente për t’u ngjitur në Superiore, që kanë dalë fitues në këtë takim.
Trajneri i Flamurtarit Ilir Daja ka aktivizuar shumë lojtarë të rinj në këtë sfidë, duke u dhënë mundësinë të zbresin në fushë dhe të tregojnë vlerat e tyre. Bylisi e ka zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë, me gola të shënuar nga Lamçe fillimisht, dhe më pas Antoni, që e kanë çuar që në 45 minutat e para rezultatin në 2-0 në favor të miqve. Vlonjatet janë munduar të reagojnë por shtylla në 3 raste gjatë pjesës së parë, dy herë me anë të Sukajt dhe një herë me Ribajn, u ka mohuar golin lojtarëve të Flamurtarit.
Edhe në pjesën e dytë Flamurtari është munduar, por sërish Sukaj ka goditur shtyllën, një rast i rrallë ky për një ndeshje, ku lojtaret godasin katër herë shtyllën. Bylisi është munduar të ruajë këtë rezultat dhe ia ka arritur duke marrë një fitore përballë Flamurtarit në takimin miqësor, pavarsisht emrave që Daja hodhi në fushën e lojës. Tashmë Flamurtari mendon për ndeshjen e radhës, aty ku pas rifillimit të kampionatit e pret një sfidë delikate në fushë të huaj me Laçin, ndërsa Bylisi pret në shtëpi një tjetër skuadër nga Vlora dhe pikërisht Orikun.