AlbanianSport.com 10/03/2019 16:35
ASNN – Xhudo e Kosovës vijon të paraqitet në nivelet më të larta botërore, duke pasur sukses të pazakontë. Ekipi i trajnerit Driton Kuka po bën çudira në tapetet e veprimtarive të xhudos në mbarë botën dhe sot ishte radha e sportistes Loriana Kuka të tregonte se është pjesë e suskesit të xhudos së Kosovës, pasi mori medalje të argjendtë në Çmimin e Madh të Marrakeshit në Marok, një turne i rëndësishëm i xhudos për këtë vit.
Në këtë veprimtari, sportistja kosovare garoi në peshën trupore deri në 78 kilogramë dhe bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke arritur deri në finale, por pikërisht në finale humbi me xhudisten gjermane Ana Maria, me pikë, duke u mundur 0-1 për shkak të një kartoni të verdhë. Deri në finale xhudistja shqiptare e Kosovës bëri një kapërcim të shkëlqyer të rivaleve të saj dhe pavarësisht se humbi në finale, ajo kthehet në Kosovë me medalje argjendi, që është sukses për të dhe për xhudon kosovare në tërësi.
Trajneri Driton Kuka, tashmë një strateg dhe një kultivues i madh talentesh të këtij sporti në Kosovë, ka të drejtë të krenohet me sportistet e tij. Kosova po shkruan histori në xhudon botërore, ky është fakt dhe kryefakti është se korifeu i këtij suksesi mbetet padyshim medalistja olimpike Malinda Kelmendi, një “xhevahir” i sportit shqiptar në tërësi.