AlbanianSport.com 10/03/2019 15:40
ASNN – Kreu i FIFA-s: Kjo është mundësia e fundit për të pastruar emrin nga skandalet. FIFA e ka paralajmëruar Konfederatën e Futbollit të Oqeanisë (OFC), se kjo është mundësia e saj e fundit për të pastruar emrin e saj nga veprimet skandaloze të ditëve të fundit. Mesazhi u dorëzua personalisht nga Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ndërsa ndodhej në Zelandën e Re për të marrë pjesë në Kongresin e OFC-së për të zgjedhur një president të ri.
“Është jetësore që OFC-ja të kthejë faqe. Është jetësore për mbijetesën e futbollit në këtë pjesë të botës”, – u tha Infantino gazetarëve. Mesazhi i rreptë erdhi vetëm disa ditë pasi FIFA pezulloi me një afat 3-mujor, nënkryetarin e OFC dhe anëtarin e Këshillit të FIFA-s, Li Harmon pas një hetimi për shitjen e biletave në Kupën Botërore të vitit të kaluar në Rusi. Javën e kaluar, FIFA pezulloi ish-presidentin e Oqeanisë David Çang me 6 vjet për korrupsion në lidhje me një projekt ndërtimi prej 15 milionë dollarë në Oklend.
Ky rast ishte i fundit në një seri skandalesh në Oqeani, e cila është e përbërë kryesisht nga vendet e vogla të ishullit të Paqësorit. “Nëse është ende dikush në Oqeani, i cili është i përfshirë në futboll, e nuk e ka kuptuar ende se koha e abuzimit të futbollit për përfitime personale ka mbaruar, atëherë ne nuk mund të ndihmojmë më, – tha Infantino. – Por unë jam i sigurt nga ajo që kam dëgjuar e kam parë, se mesazhi përfundimtar është dhënë, dhe kjo është me të vërtetë mundësia e fundit për Oqeaninë”.