AlbanianSport.com 09/03/2019 13:50
ASNN – Argjentinasi i Kamzës rrëfen situatën e tij pas dënimit të klubit, pret përmbushjen e kontratës. Skuadra e Kamzës, është dënuar me përjashtimin nga çdo veprimtari futbollistike për sezonin 2018-2019 dhe nga e gjithë kjo histori, ata që janë gjetur më të papërgatitur janë lojtarët e huaj.
“Patëm një takim me natyrë më tepër informuese, për të mësuar sa i përket vendimit të FSHF-së dhe asaj që do të ndodhë më pas, – ka thënë Martinena. – Prandaj edhe ne po vazhdojmë stërvitjen dhe në ditët në vijim do të mësojmë më tepër.” Për futbollistin argjentinas Nestor Gabriel Martinena, gjithçka është pezull.
“Unë kam një kontratë deri në fund të sezonit dhe prandaj erdha për këtë takim, – ka vijuar ai. – Tanimë i mbetet në dorë presidentit për të plotësuar kushtet e kontratës si dhe për të më dhënë një drejtim, nëse do të shoh për ndonjë skuadër tjetër apo të kthehem në shtëpi.”
Përpara këtij dënimi, Kamza mbante vendin e fundit në Kategorinë Superiore, me 17 pikë të marra në 24 javë, ndërsa sezonin e ardhshëm do të luajë në nivelin e 3-të të kampionatit, që njihet si Kategoria e Dytë.